Aktualitet

Ndërtimi drejt rënies! Bien kërkesat për blerje, shkak çmimi i lartë dhe kreditimi i vështirë!

Ndërtuesit e pallateve të reja janë pesimistë sa i përket porosive të ardhshme për blerje banesash. Indikatori që matet nga Banka e Shqipërisë ka pësuar një përkeqësim të ndjeshëm gjatë tetorit.

Edhe ritmi aktual i ndërtimit gjithashtu ka ardhur me ngadalësim.  Ndërsa ekonomia duket se po hyn në një cikël të ri, ndërmjetësit imobiliarë shpjegojnë edhe faktorët e tjerë

“Ka pasur një zbehje të kontratave të porosive. Kjo është reflektuar më shumë te kompanitë e ndërtimit apo tek komplekset që janë drejt përfundimit apo në fazën e dytë të ndërtimit, për disa arsye. E para klientët e kanë shume të vështirë që të financohen nga bankat e nivelit të dytë për të prenotuar një apartament në ndërtim. E dyta është që çmimet kanë vijuar të rriten dhe një tjetër arsye është se njerëzit tani po kërkojnë diçka më cilësore. Nuk i turren objektit të parë që shohin, por kërkojnë një standard të ri jetese.”-tha Erion Alimema.

Pavarësisht zbehjes së kërkesës, tregu i pasurive të paluajtshme nuk pritet të reflektojë uljen e çmimeve sipas agjentëve imobiliarë

 “Pjesa më e madhe e objekteve që janë drejt përfundimit nuk do kenë rënie çmimi. Nuk kemi stok apartamentesh aktualisht, pasi kemi më shumë kërkesë sesa prona në dispozicion.’– tha Erion Alimema.

Gjatë gjashtëmujorit të parë, Banka e Shqipërisë u shpreh se çmimet e pasurive të paluajtshme u rritën me 28.4%, ndërsa rritja e normave të interesit për kredive nuk po e prekin ende sektorin, ashtu siç po ndodh në Europë dhe Amerikë. Një faktor për këtë është edhe informaliteti i lartë në treg, ku gjysma e pronave blihet nëpërmjet kredive bankare, ndërsa pjesa tjetër nëpërmjet remitancave, investimeve të huaja dhe kursimeve.