Aktualitet

Ndoti ujin e pijshëm duke helmuar banorë të Gjoricës, procedohet një person në Bulqizë!

Në qendrën shëndetësore Gjoricë të Bulqizës vazhdojnë të paraqiten raste pacientësh me shenja helmimi, ndërsa ujësjellësi vijon i mbyllur. Furnizimi u ndërpre, pasi analizat paraprake konfirmuan kontaminimin e ujit. Fluksi i pacientëve është në rënie. Ndërkaq, mësohet se nisi hetimi në gjendje të lirë për pronarin e një HEC-i privat në zonë, pas dyshimeve për ndotjen e ujit. Montimi prej tij i një tubi plastik, bënë që ujërat e pijshëm të përziheshin me të zezat, çka solli helmimin.

Në njoftimin zyrtar të autoriteteve thuhet:

Ndoti ujin e pijshëm, me të cilin furnizohej fshati Gjoricë dhe për pasojë u helmuan disa banorë të këtij fshati, procedohet penalisht 64-vjeçari.

Në vijim të informacionit të dhënë me datë 03.06.2023, sipas të cilit në qendrën shëndetësore të fshatit Gjoricë, ishin paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore, disa banorë të fshatit, të cilët kishin shfaqur simptoma helmimi, ju bëjmë me dije se:

Nga veprimet e shpejta verifikuese, të kryera nga grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të AKU-së, u bë e mundur zbardhja e plotë ligjore e këtij rasti.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K.M., 64 vjeç, banues në Peshkopi, Dibër, për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se për shkak të montimit të një tubi plastik nga 64-vjeçari, ujërat e pijshëm të fshatit Gjoricë, ishin përzier me ujërat e zeza të këtij fshati dhe kjo kishte shkaktuar helmimin nga uji, të disa banorëve të këtij fshati.

Pasi kanë marrë ndihmën mjëkësore, të gjithë banorët janë larguar në banesat e tyre dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.