Aktualitet

Ndotje mjedisi e shpërdorim toke, procedohen pronarët e 5 guroreve në Krujë!

Në Krujë ku vazhdon aksioni kundër përdorimit e shfrytëzimit të paligjshëm të guroreve, pesë persona u proceduan penalisht. Ata rezultojnë administratorë të po kaq guroreve dhe nga kontrollet e ushtruara u kapën në mungesë dokumentacioni. Po ashtu akuzohen për ndotje të mjedisit e shpërdorim të tokës.

Në Krujë po vijon operacioni, për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive në drejtim të përdorimit dhe shfrytëzimit të guroreve, shkak për ndotje të mjedisit dhe për shpërdorim të tokës.

Gjatë fazës së dytë të operacionit, nga kontrolli i ushtruar në territor, janë proceduar penalisht 5 shtetas, administratorë të 5 guroreve, për mungesë dokumentacioni, ndotje ajri dhe shpërdorim toke.

Më herët, gjatë fazës së parë të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë një shtetas dhe u shpall në kërkim një tjetër, administratorë të dy guroreve.

Si rezultat i kontrolleve në terren, nga verifikimi i dokumentacionit, ka rezultuar se 5 gurore nuk dispononin dokumentacionin e plotë për ushtrimin e aktiviteteve të nxjerrjes dhe përpunim të materialeve inerte dhe gurore.

Gjatë kontrolleve është konstatuar gjithashtu se disa gurore ishin mbyllur dhe nuk e ushtronin aktivitetin, prej disa muajsh.

Operacioni vijon deri në përfundimin e kontrollit të plotë të territorit, për të verifikuar dhe për të kontrolluar të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitetet e nxjerrjes dhe të përpunimit të materialeve inerte dhe gurore.

https://www.facebook.com/policiashtetitshqiptar/videos/562920832525934/?t=0