Aktualitet

Dy të mitur në pranga në Shkodër, plagosën një 16-vjeçar!

Dy të mitur që plagosën me thikë një 16-vjeçar ranë në prangat e bluve të Shkodrës. Konflikti ndodhi rreth mesnate e pasoi një sherr të çastit në lagjen “Vasil Shanto” të qytetit verior.

Njoftimi zyrtar:

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për plagosjen me mjet prerës (thikë) të shtetasit R. S., 16 vjeç, të kryer rreth orës 00:05, të datës 05.11.2023, pas një konflikti të çastit, në lagjen “Vasil Shanto”, ju informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë vijuar hetimet e thelluara për të përcaktuar plotësisht autorësinë e këtij rasti dhe për të zbardhur rrethanat e tij.

Në përfundim të veprimeve hetimore, si autorë të dyshuar të rastit, u arrestuan shtetasit A. N., 15 vjeç dhe M. M., 16 vjeç, të dy banues në Shkodër, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Ndërkaq, shtetasi R.S. vijon të jetë në spital, në kujdesin e mjekëve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Në një tjetër ngjarje të njoftuar nga policia, finalizohet pas disa muajsh hetime nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në drejtimin e Prokurorisë, operacioni policor i koduar “Qereka”. Vihet në pranga një 25-vjeçar i akuzuar për shitje të lëndëve narkotike në zona të ndryshme të Tiranës.

Gjatë periudhës hetimore, janë sekuestruar 3.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, të cilën dyshohet se ky shtetas e ka siguruar në Krujë.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Qereka”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit F. B., 25 vjeç, banues në Tiranë.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar për këtë shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi nga veprimet hetimore ka rezultuar se 25-vjeçari, pasi siguronte në Krujë, lëndë të dyshuar narkotike të llojit kanabis, e shpërndante më pas në doza, në zona të ndryshme të Tiranës.

Gjatë zhvillimit të këtij operacioni janë sekuestruar 3.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.