Aktualitet

Ndryshimet në qeveri, Konfindustria: Duhet rindërtim i portofoleve ministrore!

Në një reagim për ndryshimet e fundit në qeveri, Konfindustria thotë se “nuk iu përgjigjen pritshmërive të biznesit dhe zhvillimit të ekonomisë kombëtare”. Sipas Konfindustrisë, nuk duhej që thjesht të kishte zëvendësim të emrave, por rindërtim të portofoleve ministrore e strukturës së qeverisë në përgjithësi. Ndër të tjera, propozon krijimin e Ministrisë se Ekonomisë, Tregtisë dhe Pronës Publike të ndarë nga Ministria e Financave.

Deklarata e plotë:

Konfindustria vlerëson, se ndryshimet e fundit në kabinetin e qeveritar Rama 3 nuk i përgjigjen në shumicën e tyre pritshmërive të biznesit dhe zhvillimit të ekonomisë kombëtare. Ndryshimet u përqendruan thjesht në zëvendësime emrash të titullarëve ndërkohë, që analizat e cilësisë së menaxhimit të derisotëm të ekzekutivit bënin të domosdoshme rindërtime të thella të portofoleve ministrore dhe strukturës së qeverisë në përgjithësi.

Konfindustria vlerëson, se organizimet e brendshme të portofoleve më të rëndësishme ministrore do të vazhdojnë të jenë ndërtuar me përplasje të qartë interesash institucionale, që ulin ndjeshëm efektivitetin e punës dhe krijojnë kushte për subjektivizëm dhe korrupsion.

Konfindustria, ka kërkuar zyrtarisht riorganizimin e disa portofoleve më të rëndësishme ministrore si më poshtë:

– Krijimin e Ministrisë se Ekonomisë, Tregtisë dhe Pronës Publike të ndarë nga Ministria e Financave. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka përplasje të qartë interesi të papranueshme, që ka dëmtuar rëndë prodhimin vendor. Politikat fiskale të interesuara për të ardhura në afatshkurtër kanë nënshtruar plotësisht zhvillimin ekonomik afatgjatë.

– Krijimi i Ministrisë së Energjisë dhe Burimeve Natyrore. Eshtë e pakuptueshme dhe e gabuar, që sektorë strategjikë afatgjatë si energjia, burimet natyrore dhe mineralet të jenë thjesht shtojca të Ministrisë Infrastrukturës. Shembull i qartë i keqmenaxhimit është kalimi i Shqipërisë në krizë energjetike në vazhdim duke filluar nga viti 2021. Në vitin 2021 Shqipëria shpalli krizën energjetike, pikërisht kur prodhimi vendas tejkaloi me 6.5% kërkesën e brendshme.

– Krijimi i Ministrisë së Turizmit dhe Administrimit të Pasurive Arkeologjike, Kulturore dhe Historike. Organizimi i sotëm i Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit prodhon mungesë oponence institucionale me pasoja të rënda në afatgjatë për mjedisin, por edhe sektorin turistik. Përmendim si pjesë e problematikave të mëdha të sotme me lejet mjedisore: guroret e pakontrolluara, resorte turistike në zona të mbrojtura, rasti i zonës së mbrojtur të Butrintit, të parkut kombëtar të Vjosës, problematikat e rënda në derdhjet e ujërave të zeza në dete, lumenj dhe liqene, plehrat, aferat e rënda me djegësit, ndotjet industriale, impiante të ujërave të zeza jashtë pune, etj.

– Ministria e Mjedisit duhet të organizohet si ministri tërësisht e veçantë, oponente e zhvillimit ekonomik dhe industrial në shkallë vendi.

– Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka përplasje të fortë institucionale interesi me sigurinë ushqimore. Politikat e zhvillimit bujqësor dhe blegtoral në parim, duhet të jenë të vëzhguara nga politikat e mbrojtjes së sigurisë ushqimore. Problematikat e sigurisë ushqimore në Shqipëri janë të rënda për qytetarët, bizneset dhe turizmin. Sipas shembullit të shteteve të zhvilluara të BE, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit mund të ishte pjesë e Ministrisë së Shëndetësisë ose drejtpërdrejtë në varësi të Zyrës së Kryeministrit.