Aktualitet

Në 2022, 500 mln dollarë eksporte/ Ministrja e Bujqësisë tregon për skemat mbështetëse gjatë vitit 2023!

2022 u cilësua si viti i eksporteve bujqësore shqiptare, duke kapur vlerën e 500 milion dollarëve.

Në një intervistë për Top Channel, Ministria e Bujqësisë, Frida Krifca thotë se objektivi ambicioz  i radhës është të  rrisë vlerën e eksporteve deri 1 miliard dollarë brenda vitit 2030.

Krifca thotë se edhe  blegtoria nuk do të qëndrojë në vend numëro, pasi kryefjala e Skemës Kombëtare do të jetë pikërisht ky sektor.

 Gazetarja Rudina Muça: Kur do të nisin thirrjet për Skemën Kombëtare 2023, sa do të jetë fondi dhe a do të kemi risi në këtë skemë ?

Ministër MBZHR, Frida Krifca: Do ta hapim thirrjen në datën 20 mars dhe do të zgjasi deri më 11 prill. Skema e naftës gjithashtu do të vijojë këtë vit ku do të ketë një buxhet prej 1.4 miliard lekë, ndërsa e gjithë skema në vetvete do të ketë një buxhet prej 3.3 miliard lekësh. Natyrisht kryefjala e skemës është blegtoria, kështu që ne do të mbështesim për krerë këtë sektor. Risia në blegtori dhe bletari do të jetë që do të ruhet standardin e proporcionalitetit që do të thotë se të gjithë blegtorët që do të aplikojnë do të financohen në përputhje me buxhetin që do të kemi në dispozicion. Pra e gjithë kërkesa e tyre do të financohet pavarësisht se mund të ulet masa e financimit në raport me kërkesën të cilën ne e kemi të pamundur që ta parashikojmë.

Gazetarja Rudina Muça: Duke patë të dhënat nga INSTAT numri i gjedhëve dhe të imtave është rënie, si mendoni a mund të shkruajmë ne një faqe të re blegtorisë shqiptare, dhe a mund të kthehet ajo në një histori suksesi?

Ministër MBZHR, Frida Krifca:  Ajo ç’ka ne po bëjmë nëpërmjet politika tona është të mbështesim fermat e mëdha të cilat kanë mundësi të rrisin produktivitetin e tyre. Jemi duke i mbështetur për krijimin e stallave dhe të gjithë infrastrukturës për mirëqenien e kafshëve apo fermave të ndryshme blegtorale për prodhimin e qumështit duke investuar deri në 70% në grant të ndërtimit të kapaciteteve, apo sic kemi mbështetur të gjithë sektorin e përpunimit të nënprodukteve të qumështit.

Gazetarja Rudina Muça: Zonja Krifca ju mbaheni si ministria që kërkoni gjithnjë e më tepër fonde si nga buxheti i shtetit dhe ato të BE-së. A do të kemi ne një program IPARD III dhe sa do të jenë këto fonde?

Ministër MBZHR, Frida Krifca: Shumë shpejt ne besojmë që brenda pranverës do të kemi mundësinë ta çelim këtë thirrje. Sigurisht sfidë mbetet një buxhet i madh i cili është miratuar që është 146 milion euro, është 56% më shumë se sa programi IPARD II, çka tregon për një besim të shtuar për strukturave që janë akredituar dhe ndaj Shqipërisë.