Sport

Në ditën e Pavarësisë “vllazërorja” e veteranëve Shqipëri-Kosovë!

Në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe veteranët e Shqipërisë dhe Kosovës do të zhvillojnë sëbashku një ndeshje vëllazërore mes tyre.

Kjo ndeshje mes dy ekipeve që kanë në përbërje ish futbollistë të famshëm të dy përfaqësueseve, do të luhet më 28 nëntor 2021, ora 11:30 në kompleksin “Olympic Park” në Durrës.

Për këtë sfidë të dyja skuadrat kanë në përbërjen e tyre emrat të njohur që kanë lënë gjurmë në të dyja përfaqësueset.

Në listën e kuq e zinjve të pranishëm janë emra që kanë shkruar historinë e kombëtares shqiptare si: Blendi Nallbani, Ilir Bozhiqi, Elvis Sina, Geri Çipi, Ervin Fakaj, Hysen Zmijani, Armend Dallku, Debatik Curri, Luan Pinari, Bajram Fraholli, Ardian Mema, Ilir Alliu, Gilman Lika, Redi Jupi, Latif Gjondeda, Eqerem Memushaj, Fjodor Xhafa, Fatbardh Jera, Agustin Kola, Migen Memelli, ndërsa në stol në rolin e trajnerit do të jetë ish-futbollisti i njohur, Sulejman Mema.

Kjo do të jetë edhe miqësorja e tretë për këtë vit mes veteranëve të Shqipërisë dhe Kosovës.

E para u zhvillua më 16 shkurt 2021 në Prishtinë me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, ndërsa e dyta u luajt më 23 korrik 2021 po në Prishtinë me rastin e ditës së lindjes së legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri. Ndërkaq në fund të ndeshjes do të jepet edhe një trofe simbolik për ekipin fitues.

Ndërkaq, një sfidë e tillë argëtuese është mbajtur edhe më herët por mes ekipeve kombëtare aktuale. Rreth 7 vjet me parë, një ndeshje vëllazërore e zhvilluar në Prishtinë solli për Kuqezinjtë barazim me rezultatin 2-2, në një ndeshje që i kishte të rezervuara thuajse të gjitha emocionet në pjesën e dytë të saj.

Pjesa e parë përfundon me rrjeta të paprekura, teksa Kosova ishte më e rrezikshme me dy mundësi të mira shënimi, ndërkohë që edhe Shqipëria kishte një mundësi shumë të mirë me Hysajn.

Në fraksionin e dytë, Rey Manaj bën një debutim ëndrrash, teksa që në prekjen e parë të topit me kokë e dërgon në fundin e rrjetës. Gjithsesi avantazhi i kuqezinjve nuk do të zgjaste shumë, pasi Kosova fiton një 11-metërsh që kthehet në gol nga Celina.

Kosova luan më mirë dhe kalon edhe në avantazh pas një depërtimi shumë të mirë në zonë të Rashanit, i cili i driblon të gjithë kundërshtarët në zonë. Shqipëria nuk kënaqet me barazimin dhe do të shënonte golin e barazimit në minutën e 76-të me Rrahamnin. Mbyllet në këtë mënyrë në barazim një miqësore festive.