Aktualitet

Në kërkim nga Austria për trafik droge, pranga në Morinë shtetasit serb!

Një shtetas nga Serbia në kërkim ndërkombëtar për trafik të lëndëve narkotike u arrestua në pikëkalimin e Morinës ndërsa tentonte të hynte në vendin tonë. Në pranga ra një 31-vjeçar, i kërkuar nga autoritetet e Austrisë, vend ku pritet të ekstradohet pas kryerjes së procedurave.

Njoftimi zyrtar:

Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë kanë vijuar punën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pikë kalimi kufitar.

Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Vjenës, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Austrisë, shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht D.S., 31 vjeç, banues në Serbi.

Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 31-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Vjena, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, sipas parashikimeve të legjislacionit penal të Austrisë.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Austri, vijon procedurat për ekstradimin e 31-vjeçarit.