Aktualitet

Flukse në pikëkalimet kufitare të Morinës e në portin e Vlorës!

Në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, në doganën e Morinës, lëvizja më e madhe shënohet në dalje. Qindra emigrantë të Kosovës kanë zgjedhur Shqipërinë si vend tranzit për të shkuar në vendlindje.  Gjatë së dielës, në këtë pikë kufitare punonin tetë sportele.  Ndërsa emigrantët përjetojnë vonesa gjatë rrugës në disa pika kufitare, tashmë diaspora ka nisur të shmangë kalimin nga Serbia gjatë kthimit për festa. Java e parafundit e vitit shënon edhe kulmin e lëvizjes në pikën kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Dalje në 24 orë

-Dalje shtetas shqiptarë: 3180 qytetarë me 1180 automjete.

-Dalje shtetas të huaj: 18944 qytetarë me 5819 automjete

Hyrje në 24 orë

–Hyrje shtetas shqiptarë: 4230 qytetarë me 1501 automjete.

-Hyrje shtetas të huaj: 7198 qytetarë me 2986 automjete.

Në Portin e Vlorës, sot u regjistrua fluks emigrantësh, të cilët Krishtlindjen dhe Vitin e Ri do ta festojnë pranë familjarëve të tyre. Me dy tragetet e linjës Brindisi-Vlorë, kanë mbërritur rreth 1400 pasagjerë. Në terminalin e Vlorës, Policia Kufitare ka hapur nëntë sportele për kontrollin e dokumentacioneve që emigrantët mos të presin në radhë. Edhe në ditën në vijim pritet të ketë fluks në hyrje nga Italia.