Aktualitet

Në Rinas fotografohen pasaportat, sistemi TIMS ende jo në funksion të plotë!

Autoritetet thonë se sistemi TIMS është kthyer në pikat kufitare, pas sulmit kibernetik iranian të 9 shtatorit, por një verifikim i Top Channel zbulon se duke nisur nga Rinasi, policët vetëm fotografojnë pasaportat dhe komisariatet nuk mund të ofrojnë shërbime.

Pas interesimit të gazetares Dorjana Bezat në komisariate, në drejtori vendore, si dhe në pika të ndryshme të kalimit kufitar në vend, rezultoi se pavarësisht nga sa njoftohet, sistemi TIMS nuk është vënë në funksionim të plotë.

Në komisariate, efektivëve iu dha urdhër i brendshëm për të mos i ndezur kompjuterët e të mos i lidhin ato me internet. E gjithë veprimtaria e policisë do të jetë vetëm me shkrim, shkresa me dorë e asnjë shkrim me kompjuter. Një fenomen i tillë ka sjellë anomali në punën e policisë, sidomos në rastet kur kemi të bëjmë me persona të shpallur në kërkim, ndërsa policia e ka thuajse të pamundur të identifikojë nëse një person është në kërkim. E njëjta problematikë shfaqet edhe për verifikimin e pasaportave. Një tjetër anomali që prek direkt qytetarët është edhe pagesa e gjobave të ndryshme të vendosura nga policia, pasi prej të premtes hedhja e tyre online ka qenë e pamundur.

Në mungesë të TIMS-it, blutë iu rikthyen verifikimit të listave shkresore për shtetasit në kërkim, qofshin këta shqiptarë apo të huaj, por në ditët e një fluksi të lartë hyrje-daljesh në kufi, gjithçka vështirësohet. Kujtojmë, se një ditë më parë, një i kërkuar nga policia u arrestua në tentativë për të lënë vendin.

Në një tjetër reagim për sulmin kibernetik të Iranit më 9 shtator ndaj sistemit TIMS në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dënuan. Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se ky ishte një sulm ndaj një aleati të NATO-s dhe se administrata amerikane do të punojë me Shqipërinë për të forcuar mbrojtjen kibernetike.