Bota

Ned Price largohet si zëdhënës, kalon në tjetër detyrë në DASH!

Brenda këtij muaji, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price do të largohet nga posti që mban prej më shumë se dy vjetësh dhe do të marrë një pozicion të ri pranë Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken. Një gjë e tillë u bë e ditur nga vetë kryediplomati i Uashingtonit, një ditë më parë.

Ned Price e bëri betimin më 20 janar 2021, ditën kur Joe Biden u inaugurua si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këtë detyrë, ai e mbajti në një periudhë kyçe për politikën e jashtme, po të kujtojmë agresionin rus ndaj Ukrainës që vijon prej mëse një viti dhe tërheqjen kaotike të diplomatëve e personelit tjetër nga Afganistani.

Në një deklaratë, sekretari Blinken u shpreh se Ned Price mbajti më shumë se 200 konferenca me gazetarë, duke vepruar si fytyra dhe zëri i politikës së jashtme të SHBA-ve.

Ai ka ndihmuar qeverinë amerikane të mbrojë dhe nxisë lirinë e shtypit në mbarë globin e ka dhënë shembullin e transparencës dhe sinqeritetit, për të cilët ne bëjmë thirrje në vendet e tjera. Ndikimi i tij do të ndjehet në Departamentin e Shtetit për shumë kohë, pasi të lërë detyrën.

Shaun Tandon, president i Shoqatës së Korrespondentëve të Departamentit të Shtetit, vlerësoi Price-in për rikthimin e konferencave të përditshme të shtypit dhe përballjen e tij me pyetjet e vështira të gazetarëve, si në rastin e tërheqjes amerikane nga Afganistani në gusht të vitit 2021.

Falë Nedit, konferenca e përditshme e shtypit duket tani rutinë dhe kështu duhet të jetë. Ajo ofron një mundësi për shtypin nga e gjithë bota që të shtrojë pyetje për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shpesh në mënyrë kritike. Eshtë një tregues i shëndetit të demokracisë amerikane.