Bota

Negociatat në Bjellorusi, Ukraina kërkon armëpushim të menjëhershëm!

Në kuadër të negociatave me Rusinë në Bjellorusi, Ukraina kërkon armëpushim të menjëhershëm e tërheqjen e trupave ruse. Kjo është kërkesa e Kievit drejtuar delegacionit të Moskës. Ndërkohë, rusët akuzojnë palën ukrainase se në Kiev, civilët po përdoren si mburoja njerëzore. Delegacioni ukrainas shkoi me helikopter në vendin e piketuar për bisedime, që synojnë t’i japin fund agresionit rus në Ukrainë.

Moska shprehet e gatshme të negociohet për të gjithë kohën e nevojshme deri në arritjen e marrëveshjes. Në një tjetër zhvillim të fundit, presidenti Zelensky kërkon që ushtarët rusë të dorëzojnë armët ndërsa apelon për anëtarësimin e menjëhershëm të Ukrainës në Bashkimin Europian.

Qëllimi ynë është të jemi me të gjithë europianët dhe më e rëndësishmja, të jemi të barabartë! Jam i sigurt se është e drejtë, jam i sigurt se e meritojmë. Europianët janë dëshmitarë mbi mënyrën si ushtarët tanë po luftojnë jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë Europën, për paqen, për paqen për të gjithë, për të gjitha vendet e Bashkimit Europian! Ukrainasit i kanë treguar botës se kush jemi ndërsa Rusia tregoi se në çfarë është shndërruar… Çdo krim, çdo granatë nga pushtuesi, vetëm na bashkon më shumë!

Ndërkohë, Kina bën thirrje të ruhet qetësia e të tregohet kujdes, për të shmangur përshkallëzimin e situatës tani që Rusia ka aktivizuar njësitet bërthamore. Pekini zyrtar u shpreh kundër sanksioneve të njëanshme, që kapërcejnë të drejtën ndërkombëtare.

Por, pikërisht te sanksionet, Britania e Madhe sheh forcën e Perëndimit kundër Rusisë. Kryeministri Boris Johnson tha se sot e izoluan më tej Moskën në sistemin financiar ndërkombëtar. “Duke punuar me partnerët e G7-ës, jemi të vendosur për masat më të ashpra ekonomike kundër presidentit Putin. Putin duhet të dështojë”, – deklaroi Johnson. Ndërkohë, bursat europiane u hapën këtë fillimjavë në rënie të fortë.

“Times” shkruan se mbi 400 mercenarë rusë, të afërt me Kremlinin, nga forcat e grupit paraushtarak rus Wagner, gjenden në Ukrainë prej 5 javësh. Detyra e tyre është të vrasin presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Mercenarët e ardhur nga Afrika kanë një mision të vetëm në Kiev: të ekzekutojnë kreun e shtetit!