Bota

Nën sulm nga Irani, por Izraeli zotohet se do të vazhdojë ofensivën në Gaza!

Goditjet iraniane me dronë e raketa ndaj Izraelit, si hakmarrje për sulmin e 1 prillit me 7 viktima në konsullatën iraniane të kryeqytetit sirian, Damask, nuk e kanë stepur shtetin hebraik në luftën në Rripin e Gazës e që sot hyri në ditën e 192-të. Hamasi, grupi palestinez i shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Europian konfirmoi se në orët e natës, Izraeli ka kryer dhjetëra sulme ajrore.

Ushtria izraelite e ka bërë të qartë se nuk do të shpërqëndrohet nga lufta, pas sulmit të paprecedentë të Iranit e që ka rritur frikën për një konflikt më të gjerë. Fuqitë botërore kanë bërë thirrje për përmbajtje pasi më 13 prill, Republika Islamike lëshoi mbi 300 dronë dhe raketa ndaj Izraelit, edhe pse ushtria izraelite njoftoi se shumica e tyre u shkatërruan.

Ky ishte dhe sulmi i parë direkt i Teheranit ndaj Izraelit, në kundërpërgjigje ndaj atij vdekjeprurës në Damask në fillim të muajit e pas muajsh të dhunës në mbarë rajonin ku janë përfshirë bashkëpunëtorët e Iranit, të cilët kanë thënë se po veprojnë në mbështetje të palestinezëve për shkak të luftës Izrael-Hamas në Rripin e Gazës.

Edhe nën sulmin e Iranit, ne nuk jemi shpërqendruar për asnjë moment nga misioni ynë thelbësor në Gaza, për të shpëtuar pengjet tanë nga duart e bashkëpunëtorit të Iranit, Hamasit, – tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, admirali Daniel Hagari.

Në kohën kur ndërmjetësit po synojnë që të arrijnë një marrëveshje për ndalimin e luftimeve dhe që u nxitën nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 ndaj Izraelit, ky i fundit po planifikon të dërgojë trupat në Rafah, në jug të Gazës, ku është strehuar shumica e popullsisë prej 2.3 milion banorësh e Gazës.

Hamasi ende po mban pengjet tona në Gaza, tha Hagari, duke shtuar se janë afro 130 persona, përfshirë 34 të rrëmbyer që besohet se kanë gjetur vdekjen. Izraeli sërish u zotua se do të kthejë të gjitha pengjet në shtëpi.

Si pasojë e sulmit të Hamasit në Izrael. janë vrarë rreth 1.200 persona, shumica civilë. Ndërkaq, nga ofensiva ajrore dhe tokësore e Izraelit në Gaza kanë humbur jetën më shumë se 33 mijë persona, shumica gra dhe fëmijë, referuar autoriteteve lokale shëndetësore.