Aktualitet

Nga 1 gushti, prodhimi i kartave e pasaportave biometrike ofrohet nga shoqëria shtetërore “IdentiTek”!

Ndërsa përfundon në fund të muajit, pra më 31 korrik kontrata koncesionare e prodhimit të dokumenteve biometrike, Ministria e Brendshme jep njoftimin e rëndësishëm.

Ky dikaster bën të ditur se nga 1 gushti i këtij viti e në vijim, shërbimi për qytetarët do të ofrohet pa ndërprerje nga shoqëria shtetërore “IdentiTek”. Siç thuhet në deklaratë, kuponët e rinj të “IdentiTek”-ut gjenden në të gjitha zyrat e Postës Shqiptare. Ndërkaq, e mërkura e 26 korrikut përbën afatin e fundit të aplikimit për dokumente biometrike, përmes kuponëve të “Aleat”.

Ministria e Brendshme dhe “ALEAT” informojnë qytetarët se afati i fundit i aplikimit për ID karta ose pasaporta biometrike, përmes kuponëve të “Aleat” është data 26 korrik 2023. Nga data 1 gusht, aplikimet do të vijojnë me kuponët e rinj të kompanisë shtetërore “IdentiTek”, të cilët i gjeni në të gjitha zyrat e Postës Shqiptare.

Ministria e Brendshme dhe “IdentiTek” shprehin angazhimin për të garantuar standardin e dokumenteve të prodhuara dhe vijimin e procesit të pajisjes së qytetarëve me ID karta e pasaporta biometrike pa ndërprerje, në të njëjtat zyra si brenda apo jashtë vendit.