Aktualitet

Nga 1 prilli, paga minimale bëhet 40 mijë lekë!

Këshilli i Ministrave miratoi rritjen e nivelit të pagës minimale në 40 mijë lekë nga 34 mijë që është aktualisht. Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se do t’i atribuohet si sektorit privat edhe sektorit publik.

Në mbledhjen e sotme u mor vendimi për përcaktimin e pagës minimale, që në bazë të vendimit shkon nga 34 mijë lekë në 40 mijë lekë. Gjatë vitit të kaluar pati rritje të pagave ku për 9-mujorin e vitit 2022, pagat mesatare për sektorin privat janë rritur me 12.3%. Rritja që u miratua sot në Këshillin e Ministrave prej 6 mijë lekësh bruto është në nivel 17.6% më e lartë se paga që aktualisht është në treg.

Rritja hyn në fuqi nga 1 prilli. Në pagën që punonjësit do të marrin në muajin maj do të jetë e reflektuar kjo rritje. Kjo nuk është aspak një politikë e cila lidhet me zgjedhjet apo me politika elektorale, por është një politikë që shkon në mbështetje të gjithë punonjësve që janë pagamarrës minimalë.

Eshtë politikë që ne e kemi përdorur që të mitigojmë efektet e krizës dhe të rritjes së inflacionit. Është një numër i konsiderueshëm punonjësish që janë pagamarrës minimalë dhe dua të nënvizoj se paga minimale në vend është paga më e ulët në rajon. Ne synojmë që në 3 vitet e ardhshme paga minimale të mos jetë më më e ulëta në rajon dhe Shqipëria të jetë një vend i cili të tërheqë punonjës në tregun e punës.

Ibrahimaj nënvizoi se arsyeja kryesore pse qeveria ka qenë e kujdesshme në rritjen e përshkallëzuar të pagës minimale, ishte se nuk do që t’i shtojë kosto shtesë biznesit. Po ashtu, theksoi se “Shqipëria ka hyrë në procesin e integrimit europian, ku ekziston Karta Sociale Europiane e cila ka si nivel dhe si detyrim të pashkruar që niveli i këshillueshëm i pagës minimale në një vend duhet të jetë jo më i ulët se 60% e pagës mesatare”.