Aktualitet

COVID-19, nis vaksinimi i mjekëve në Korçë!

Pas Tiranës, Elbasanit, Vlorës, Beratit e Shkodrës, procesi i vaksinimit është shtrirë edhe në Korçë. Në ditën e parë, do të marrin dozën e parë të vaksinës anti-COVID të Pfizer-BionTech rreth 150 mjekë e infermierë të spitalit të rajonit juglindor, në vijën e parë të përballjes me infeksionin.

Ndërkaq në total deri tani janë zyrtarisht të vaksinuar rreth 12 mijë persona, staf mjekësor por edhe të moshuar mbi 80 vjeç. Të hënën vijnë 15 mijë doza të radhës së vaksinës së Pfizer-BioNTech në Shqipëri.

Gjithashtu brenda 10 ditëve të para të Marsit do të vijnë edhe 14 mijë e 400 dozat e para të vaksinave që vendi ynë i përfiton në kuadër të grupimit COVAX. Zyrtarët e shëndetësisë thonë se procesi i vaksinimit për të gjithë popullatën planifikohet të përfundojë para marsit të vitit 2022.