Aktualitet

Zbulohet shkaku, një 20 vjeçar në pranga për vrasjen e ish kryekomunarit të Velipojës

Një 20 vjeçar është shoqëruar në polici si autor i dyshuar i vrasjes së ish-kreut të Komunës Velipojë dhe ish-ndërtuesit Pashko Ujka në Shkodër tre ditë më parë. I dyshuar është shtetasi Kristian Kelmendi, të cilit i është konstatuar barut në duart e tij. Shkak mendohet një borxh i pashlyer nga viktima.

Ujkës i është bërë pritë pranë shtëpisë së tij, në lagjen “Vasil Shanto” në Shkodër. Ai mori plagë në shtyllën kurrizore dhe për pasojë humbi jetën në spital.

Në momentin e vrasjes ai ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja dhe vëllai i tij të cilët kanë parë të gjithë ngjarjen. Në dëshminë e saj, gruaja ka deklaruar se thjesht ka parë bashkëshortin e saj që është shembur në tokë, duke konfirmuar se është qëlluar me silenciator.

Hetimet janë përqendruar jo vetëm me funksionin e tij si ish-kryetar i Komunës së Velipojës, por edhe si ndërtues, nisur nga fakti se ai është ndërtues i disa pallateve në qytetin e Shkodrës vitet e fundit. Ndërkohë janë sekuestruar kamerat e sigurisë të bizneseve dhe banesave përreth që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorit.

Pashko Ujka, ish-deputet dhe ish-kryetar i Velipojës, u vra me armë tip silenciator në qendër të qytetit verior. Vrasësi besohet se ka vepruar i vetëm dhe ka qëlluar 64-vjeçarin me një plumb pas shpine dhe është larguar nëpër rrugicat e pallateve

Por kush ishte Pashko Ujka?

Pashk Ujka, gjatë legjislaturës 2005-2009, ishte deputet i PDK-së në parlamentin Shqiptar, madje ishte kryetar i këtij grupi parlamentar dhe pjesë e koalicionit me Partinë Demokratike.

Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2009, ai doli pjesë e partisë Demokristiane që drejtohej nga Nikollë Lesi. Në zgjedhjet lokale 2011, Ujka kandidoi po nën siglën e PDK-së i mbështetur nga PS-ja në koalicionin për të ardhmen. Ujka ka shërbyer edhe si kryetar i komunës së Velipojës në vitet 2011- 2015 nën siglën e PS.