Bota Tech

Një teleskop hapësinor europian për të zbuluar Universin e errët!

Një teleskop hapësinor europian, sot niset nga Florida e SHBA-ve në kërkim të përgjigjes së një prej pyetjeve më të mëdha të shkencës: nga çfarë përbëhet Universi? Misioni Euklid do të bëjë një hartë të madhe tredimensionale të kozmosit në një përpjekje për të zbuluar disa nga vetitë e të ashtuquajturave materie dhe energji e errët. Besohet se së bashku, këto dukuri kontrollojnë formën dhe zgjerimin e gjithçkaje që gjendet në univers.

Por, studiuesit pranojnë se nuk dinë pothuajse asgjë rreth tyre. As materia e errët, as energjia e errët nuk mund të detektohen direkt. Për BBC News, profesoresha Isobel Hook, astronome në Universitetin Lancaster të Mbretërisë së Bashkuar shprehet:

Ky hendek i madh në njohuritë e njerëzimit do të thotë se ne nuk mund ta shpjegojmë me të vërtetë origjinën tonë. Vështrimet e teleskopit Euklid paraqesin gjasat më të mira për të shkuar drejt të kuptuarit të kësaj origjine.

Do të jetë si të nisesh në një anije para se njerëzit ta dinin se ku kishte tokë në anët e ndryshme të planetit. Ne do ta hartojmë universin në përpjekje për ta kuptuar se ku përshtatemi me të dhe si kemi arritur këtu.

Teleskopi Euklid me vlerë 1.4 miliardë euro do të dërgohet në një pozicion vëzhgimi rreth 1.5 milion kilometra larg nga Toka, në anën e kundërt të planetit me Diellin. Edhe pse kryesisht ky projekt drejtohet nga Agjencia Hapësinore Europiane (ESA), misioni ka të dhëna të rëndësishme shkencore e inxhinierike edhe nga agjencia hapësinore amerikane (NASA).

Eksperimentet e mëparshme kanë sugjeruar që energjia e errët përbën rreth 70% të të gjithë energjisë në Univers. Materia e errët rreth 25% ndërsa e gjithë materia e dukshme, si yjet, gazi, pluhuri, planetët dhe njerëzit, afro 5%.

Për ta zbërthyer natyrën e energjisë dhe materies së errët, teleskopi Euklid do të kryejë një hulumtim gjashtëvjeçar. Detyrë kryesore e tij do të jetë hartimi i shpërndarjes së materies së errët, materie që nuk mund të detektohet drejtpërdrejt, por që astronomët e dinë se ndodhet atje për shkak të efekteve të gravitetit.