Bota

Nuk ka më rrezik, raketa kineze Long March 5B ra në Oqeanin Indian

Rreziku kaloi, mbetjet e raketës kineze Long March 5B ranë në Oqeanin Indian, në perëndim të ishujve Maldive. Vlerësimet paraprake tregonin Atlantikun e Veriut e madje edhe Mesdheun ndërsa iu kushtua vëmendje maksimale pasi ekzistonte shqetësimi se mbetjet e raketës që kishte dalë nga kontrolli mund të përfundonin në një zonë të banuar. Trajektorja përshkoi edhe Jugun e Shqipërisë.

Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin deklaroi se “Kina u tregua neglizhente duke e lejuar raketën të rrëzohej jashtë orbite”. Por sipas parashikimeve të ekspertëve të hapësirës, “Ishin të pakta shanset që dikush të goditej pasi pjesa më e madhe e sipërfaqes së Tokës mbulohet nga oqeanet e po ashtu ka zona të mëdha, të pabanuara”.

Siç raportoi media shtetërore kineze, shumica e mbetjeve u dogj në atmosferë ndërsa pjesë të bërthamës 30 metra të raketës Long March-5b rihynë në atmosferë në 10:24 të mëngjesit të së dielës me orën e Pekinit (02:24 GMT), në koordinatat 72.47° në Lindje dhe 2.65° në Veri.

Muajin e kaluar, segmenti kryesor nga Long March 5B u përdor për të dërguar të parin modul në Stacionin Hapësinor të Kinës. Me peshë 18 ton ishte një prej objekteve më të mëdhenj në dekada që kanë përshkuar atmosferën në mënyrë të pakontrolluar. Në vitin 2018, gjithashtu bota mbajti frymën pezull për shkak të stacionit hapësinor kinez që peshonte 8 ton. Edhe në atë kohë kishte shumë pasiguri.

Raketa, e gjatë rreth 108 metra e nisi rrugëtimin për në hapësirë më 29 prill.