Bota

Nuk ka ndalim, Koreja e Veriut thotë se ka testuar një raketë të re lundruese!

Lideri koreano-verior, Kim Jong Un e cilësoi “sukses” testimin e një rakete të re strategjike lundruese që u lëshua nga një nëndetëse. Udhëheqësi komunist tha se ky testim është moment kyç në ndërtimin e fuqisë detare të shtetit të tij, siç raportoi media shtetërore e Koresë së Veriut.

Peniani ka shpeshtuar testimin e armëve gjatë këtij viti, përfshirë të një “sistemi armësh bërthamore nënujore” dhe një raketë balistike hipersonike, që operon me karburante të ngurta.

Media shtetërore KCNA deklaroi se Kim ka shprehur “kënaqësi të madhe” për testimin e kryer dje dhe që “ka një rëndësi të madhe strategjike për zbatimin e planit tonë… për modernizmin e ushtrisë dhe ndërtimin e një force të fuqishme detare”.

Po ashtu, inspektoi një “nëndetëse bërthamore” dhe diskutoi me zyrtarët për ndërtimin e luftanijeve të reja, raporti KCNA, por pa dhënë më shumë detaje.

Sipas Koresë së Veriut, raketa lundruese e testuar dje fluturoi për rreth dy orë. Por, Pheniani nuk tregoi se cila ishte distanca që përshkroi raketa. Ndryshe nga raketat balistike, testimi i atyre lundruese nuk është i ndaluar sipas sanksioneve aktuale që Kombet e Bashkuara i kanë vendosur Koresë së Veriut.

Referuar po burimeve të Koresë së Veriut, gjatë javës u testuan dy raketa Pulhwasal-3-31, të prodhuara kohët e fundit. Raketat lundruese fluturojnë në një lartësi më të ulët se të sofistikuarat balistike dhe nuk detektohen lehtë.

Eshtë e paqartë aftësia e saktë e Koresë së Veriut sa i përket lëshimeve të raketave nga deti, por në të kaluarën, ky shtet ka lëshuar raketa nga anije më të vjetra, por jo nga nëndetëset.

Më 19 janar, Koreja e Veriut testoi sistemin e saj të armëve nënujore bërthamore, në shenjë proteste ndaj stërvitjeve të përbashkëta ushtarake që zhvilluan Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Japonia.

Testimi i sistemit “Haeil-5-23”, emrin që Koreja e Veriut ua ka vendosur dronëve sulmues nënujorë me kapacitete bërthamore, u krye nga një grup ekspertësh të Ministrisë së Mbrojtjes. Ky testim u krye në ujërat afër bregdetit lindor koreano-verior. Nuk u dhanë detaje se kur ndodhi kjo.

Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes akuzoi SHBA-të, Korenë e Jugut dhe Japoninë se po bëhen “të papërmbajtshme” me stërvitjet ushtarake, duke paralajmëruar për “pasoja katastrofike”.

Marinat e tri shteteve kanë mbajtur stërvitje të rregullta, me pjesëmarrjen edhe të aeroplanmbajtëses amerikane, Carl Vinson. Stërvitjet ishin pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar përgjigjen e këtyre shteteve ndaj kërcënimeve bërthamore e raketore të Koresë së Veriut.

Ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes së Koresë së Jugut lëshoi një paralajmërim kundër testimeve të fundit të kryera nga Veriu, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të tyre.