Bota

Nuk pati surpriza, Putin fitoi i qetë dhe bëhet gati për mandatin e 5-të/Ia kalon edhe Stalinit!

Presidenti rus, Vladimir Putin fitoi mandatin e pestë në pushtet, në një proces zgjedhor tejet të kontrolluar, teksa synon të shpërfaqë mbështetjen e popullit për luftën në Ukrainë dhe për politikat gjithnjë e më shtypëse. 71-vjeçari Putin, i cili ka drejtuar si president ose si kryeministër prej vitit 2000,  pritet që të tejkalojë lidershipin gati 30-vjeçar të Stalinit, çka do të shënohet kur të përfundojë këtë mandat të ri.

Në këtë mënyrë, Vladimir Putin do të bëhet lideri që ka udhëhequr më gjatë në Rusi, në më shumë se dy shekuj. Pas 99.68% të votave të numëruara, zyrtarisht u tha se në presidencialet e datave 15-17 mars, ka fituar 87.32% të tyre, një shifër rekord që pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Komisioni Qendror Zgjedhor bëri të ditur se mbi 70% e popullsisë e shfrytëzoi të drejtën e votës në tre ditë zgjedhje. Votimet ishin të parat për Putinin, prej nisjes së luftës në Ukrainë më 2022-shin. Luftimet kanë lënë të vrarë mijëra shtetas rusë, si dhe iu kanë vështirësuar jetën mijëra të tjerëve. Po ashtu, lidhjet me Perëndimin janë shkëputur thuajse plotësisht.

Në mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, që konsiderohen të manipuluara, Putin dëshiron të tregojë se e ka mbështetjen e plotë të popullit, siç thonë ekspertët.

Synimi i Kremlinit është të ketë mbështetje për luftën e Rusisë në Ukrainë. Ideja është që miliona rusë t’i miratojnë vendimet e Putinit, të dy viteve të fundit, tha Maksim Trudolyubov, studiues në Institutin Kennan.

Në disa deklarata të bëra pak pas shpalljes së fitores së tij, presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se zgjedhjet kanë treguar se kombi është “një ekip”. Në këto zgjedhje, shefi i Kremlinit garoi me tre emra relativisht të panjohur, politikanë të afërt me Kremlinin. Duhet thënë se fushatat e tyre zgjedhore, nuk morën shumë vëmendje, duke u lënë në hije.

Vëzhguesve të pavarur nuk iu mundësua pjesëmarrja në zgjedhje, çka ndodhi për herë të parë në historinë post-sovjetike, po sipas ekspertëve. Votimet janë mbajtur edhe në territoret ukrainase të pushtuara prej Rusisë, ku gjenden qindra mijëra ushtarë rusë. Shtetet e Bashkuara deklaruan se këto zgjedhje nuk ishin as të lira dhe as të drejta.