Bota

Nuk priten surpriza, Putin do t’i fitojë lehtësisht zgjedhjet e reja presidenciale në Rusi!

Një vit para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Rusi, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i tha New York Times-it se presidenti Vladimir Putin, “do të rizgjidhet vitin e ardhshëm me mbi 90% të votave”.

Putin, i cili që nga fundi i vitit 1999 është në pushtet si kryeministër dhe president,  gjerësisht ka larguar elementët e demokracisë e lirisë të vendosur tre dekada më parë, pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Rreth një vit e gjysmë më parë nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, konflikti më i madh në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Peskov bëri një deklaratë befasuese për zgjedhjet presidenciale ruse kur tha se “nuk është demokraci, është një burokraci e kushtueshme”.

Putin, i cili ka përdorur shtypjen më të ashpër ndaj opozitës ruse që nga kohët sovjetike, pritet t’i fitojë lehtësisht zgjedhjet. Ai ka burgosur kundërshtarët, ka nënshtruar sistemin politik e ka shtypur lirinë e medias, duke i shndërruar zgjedhjet në një farsë të mbushjes së kutive të votimit dhe mashtrimeve zgjedhore.

Por, Kremlini vazhdon të insistojë se zgjedhjet ruse janë të lira. Pas publikimit të artikullit nga New York Times, Peskov pretendon se u keqcitua nga kjo media amerikane.

Gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve RBK,  tentoi të riformulonte komentet, duke thënë se “teorikisht” Rusia nuk ka nevojë të mbajë zgjedhje presidenciale sepse “është e qartë se Putin do të rizgjidhet”.

Nuk është e qartë se kush do ta sfidojë në zgjedhje Putinin, në një mjedis ku pothuajse çdo kritikë ndaj udhëheqësve rusë, çon në hetime. Javën e kaluar, Rusia dënoi me 19 vjet burg liderin opozitar, Aleksei Navalny, i cili do të jetë pas hekurave deri në vitin 2040.

Navalny, i cili ka hetuar korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisë ruse, u dënua nën akuza për ekstremizëm. Ai tha se akuzat ndaj tij janë të pabaza. Ndërkaq, rezulton të jetë vetëm njëri nga disa liderë të opozitës që janë dënuar me burgime të gjata për akuza të sajuara, që kur Putin nisi pushtimin e Ukrainës, 17 muaj më parë.