Aktualitet

Numër i lartë rastesh me COVID në Shqipëri, mjekët kanë një apel për qytetarët

7 viktima të moshave 57-87 vjeç dhe 876 raste ditore me COVID-19 u regjistruan në 24 orët e fundit në vendin tonë. Në bilancin e përditësuar pak më parë nga Ministria e Shëndetësisë, konfirmohen edhe 503 qytetarë të shëruar, duke e çuar totalin në 45 mijë e 383 që nga fillimi i epidemisë. Aktualisht në 4 spitalet COVID, po trajtohen 280 pacientë, 20 në terapi intensive nga të cilët 7 të intubuar.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes. Gjithashtu ekspertët apelojnë të mos ulet vigjilenca dhe të vijojnë të respektohen rregullat anti-COVID duke vendosur maskën mbrojtëse në çdo ambient jashtë shtëpisë; duke shmangur grumbullimet dhe duke ruajtur distancimin fizik; duke u kujdesur për higjenë vetjake, në mënyrë që të parandalohet përhapja e Koronavirusit.

Ndërkaq, tetë viktima u regjistruan sot nga koronavirusi i ri në Kosovë, duke e çuar në 1 mijë e 479 numrin e përgjithshëm të të vdekurve. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në raportimin ditor për situatën epidemiologjike në vend konfirmoi edhe 301 infektime në 24 orë. Ndërkaq janë 181 pacientë të shëruar ndërsa raste aktive në Kosovë janë 5 mijë e 991.