Bota

OBSH kundër kufizimeve të udhëtimeve për shkak të variantit Omicron!

Kufizimet e plota të udhëtimeve nuk do të parandalojnë përhapjen ndërkombëtare të variantit të ri të koronavirusit, Omicron.

Në këtë përfundim del Organizata Botërore e Shëndetësisë OBSH, pasi dhjetëra vende kanë bllokuar udhëtimet nga Afrika e Jugut e të tjera shtete afrikane. OBSH rekomandon:

Në vend të ndalesave, shtetet duhet të praktikojnë masa, të bazuara në të dhëna dhe nivelin e rrezikut, duke përfshirë testimin e pasagjerëve e vendosje të karantinës, të cilat mund të zvogëlojnë importimin apo eksportimin e variantit Omicron. Kufizimet e plota nuk do të parandalojnë përhapjen ndërkombëtare dhe ato rëndojnë jetët tona. Kufizimi i fluturimeve nga vendet si Afrika e Jugut, ndëshkojnë padrejtësisht këtë shtet, për faktin që u tregua transparent lidhur me urgjencën e variantit të ri.

Një javë më parë, u njoftua i pari rast me Omicron në Afrikën e Jugut e që nga ajo kohë është identifikuar në të paktën 20 shtete. 56 vende po zbatojnë kufizime në udhëtime, me qëllim parandalimin e përhapjes së variantit të ri të koronavirusit.

Ndërkaq, mbetet të shihet efikasiteti i vaksinave ekzistuese kundër COVID-it ndaj Omicron-it, që nga OBSH-ja u klasifikua me nivel shumë të lartë rreziku global. Shkencëtarët dinë shumë pak mbi mënyrën si Omicron do të ndikojë në rrjedhën e pandemisë. Sipas OBSH-së, “nëse ka rritje të mprehtë të infektimeve për shkak të këtij varianti, pasojat mund të jenë të rënda, sidomos në vendet ku pak njerëz janë vaksinuar e rrezikojnë të preken rëndë.

Ekziston pasiguri e madhe në lidhje me transmetueshmërinë e Omicron-it, potencialin e imunitetit, paraqitjen klinike, ashpërsinë e sëmundjes dhe përgjigjen ndaj masave të tjera anti-COVID.

Omicron paraqet një sërë mutacionesh që kanë çuar në një rrezik më të lartë të infektimeve të përsëritura te pacientët e rikuperuar nga variante, tashmë të njohura të koronavirusit.