Bota

OBSH: “Sfida të frikshme në botë!”

Bota po përballet me sfida “të frikshme” përfshirë pandeminë koronavirus, luftën në Ukrainë e linë e majmunëve. Kjo u theksua nga shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus. Në një konferencë në Gjenevë, zyrtari i lartë vuri në dukje se “lia e majmunëve është raportuar në 15 shtete jashtë Afrikës”. Mbi 80 raste u konfirmuan në Europë, Shtetet e Bashkuara, Kanada, Australi e Izrael. Por, rreziku për publikun e gjerë vazhdon i ulët.

Ne po përballemi me konvergjencë të frikshme të sëmundjeve, thatësirës, urisë e luftës, të nxitura edhe nga ndryshimet e klimës, pabarazia dhe rivaliteti gjeopolitik.

Lia e majmunëve, virus shumë i zakonshëm në Afrikën Qendrore dhe atë Perëndimore, nuk ka tendenca të përhapjes së lehtë mes njerëzve e simptomat janë mesatare. Sipas autoriteteve shëndetësore në Britaninë e Madhe, shumicës së të infektuarve u duhen disa javë për t’u shëruar. Belgjika u bë shteti i parë që ka bërë të ditur ngritjen e karantinës, tashmë prej rreth një muaji për personat e infektuar.

Simptomat fillestare përfshijnë temperaturë, dhimbje koke, të pjesës së kurrizit dhe muskujve. Ndërkohë, mund të dalin puçrra në fytyrë e trup e që mund të shkaktojnë djegie dhe të japin kruarje, deri në zhdukjen graduale brenda dy apo tre javësh.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, bëri thirrje për një sërë masash urgjente kundër përhapjes së mëtejshme të lisë së majmunëve. Në fokus janë gjetja e izolimi gjithëpërfshirës i rasteve, gjurmimi i kontaktit dhe kujdesi mbështetës për të kufizuar transmetimin e mëtejshëm.

Presidenti amerikan, Joe Biden, deklaroi se “duhet të jemi të shqetësuar” për shpërthimin global të lisë së majmunëve, pasi po shtohet numri i rasteve me këtë virus. “Po punojmë shumë, për të kuptuar se çfarë duhet të bëjmë”. Komentet e shefit të Shtëpisë së Bardhë erdhën ndërsa virusi vazhdon të përhapet dhe Greqia fqinje me Shqipërinë e Izraeli janë dy shtetet më të fundit që raportuan rastet e para.