Bota

OKB-ja nuk arrin konsensus rreth anëtarësimit të Palestinës!

Komiteti i Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk arriti të binte dakord mbi një përgjigje të përbashkët ndaj një kërkese për anëtarësimin e plotë të Palestinës në Kombet e Bashkuara.

Dy të tretat e anëtarëve ishin në favor të kërkesës, ndërsa pesë kundërshtuan.

Pas një takimi në Nju Jork, kjo u bë e ditur nga ambasadorja e Maltës në OKB, Vanessa Frazier, e cila aktualisht kryeson komitetin përkatës. Frazier tha se do të shpërndajë një raport, sa më shpejt të mundet. Konsiderohet e pamundur që më pas komiteti të rekomandojë një votim mbi mocionin në Këshillin e Sigurimit. Por, çdo shtet anëtar i organit mund të prezantojë një rezolutë përkatëse në çdo kohë.

Algjeria po planifikon ta bëjë këtë javën e ardhshme, sipas burimeve diplomatike. Por, një rezolutë e tillë sipas të gjitha gjasave do të dështojë sepse Amerika, aleatja më e ngushtë e Izraelit në Këshillin e Sigurimit ka të ngjarë të ushtrojë të drejtën e vetos.

Për të qenë e suksesshme, të paktën nëntë nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit duhet të votojnë pro dhe nuk duhet vetoja e asnjë prej anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit: Kinës, Francës, Rusisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve.

Nëse rezoluta rezulton e suksesshme, më pas mocioni do t’i referohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për votim, ku do të kërkohet një shumicë prej dy të tretash për ta kaluar. Izraeli e ka kundërshtuar vazhdimisht pranimin e Palestinës. Për më tepër, Amerika dhe vendet e tjera kanë kërkuar që palestinezët të bëjnë paqe me Izraelin përpara se t’iu jepet anëtarësimi në OKB.

Në nëntor 2011, kërkesa për anëtarësim të plotë në OKB dështoi në Këshillin e Sigurimit. Një vit më vonë, Asambleja e Përgjithshme, ku Amerika nuk ka të drejtën e vetos, iu dha palestinezëve statusin e vëzhguesit.

Javën e kaluar, ambasadori palestinez i OKB-së, Riyad Mansour i shkroi sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres duke kërkuar që aplikacioni i vitit 2011 t’i dorëzohej Këshillit të Sigurimit të OKB-së në prill. Këshilli i Sigurimit ia referoi kërkesën komitetit për shqyrtim në fillim të javës. Hapi zyrtar i rishqyrtimit të aplikacionit nga viti 2011 u konsiderua një fitore e vogël për palestinezët.

Nga 193 shtete anëtare të OKB-së, 139 prej tyre e kanë njohur Palestinën si shtet të pavarur.