Fashion Lifestyle

Pantallonat e shkurtra ndalohen në punë?! Tashmë ky rregull mund të thyhet nëse kemi parasysh këto këshilla…

Ditëve të nxehta të verës, gjëja më e rëndësishme është të mos kemi shumë vapë në rrobat tona, por gjithsesi duam të dukemi elegante. Ka një rregull përsa i përket stilit veror në ambientet e punës, i cili thotë se pantallonat e shkurtra nuk duhet të bëjnë pjesë në veshjen tuaj të përditshme. Por ky rregull edhe mund të thyhet…

Kur temperaturat janë të larta është e vështirë të vishesh për në punë, siç është e vështirë edhe të mbash për disa orë veshur diçka që të shkakton vapë. Pantallonat e shkurtra mund të mos ju vijnë në mendje në fillim kur mendoni për rroba të bukura verore, por ato janë një veshje praktike.

Përveç fustaneve, fundeve etj, mund të vishni edhe pantallonat tuaja të preferuara, mjafton t’i kombinoni me mënyrën e duhur. Dihet që pantallonat shumë të shkurtra duhet të qëndrojnë jashtë zyrës së punës. Gjatësia ideale është ajo me të cilën ti ndihesh që nuk po zbulon diçka më shumë seç duhet. Afërsisht pak më lart se gjuri.

Një palë pantallona me viza, ose një palë njëngjyrëshe me bel të lartë mund të kombinohen shumë thjeshtë me një bluzë të bardhë, duke ju treguar më elegante. Në çdo rast është mirë të shmangni xhinset e çara. Këpucët e duhura me të cilat mund t’i kombinoni janë patjetër të sheshtat. Zgjidhni një palë sandale ose balerina njëngjyrëshe. Nëse vendi juaj i punës nuk kërkon veshje zyrtare, pantallonat e shkurtra janë një zgjedhje e shkëlqyer.