Aktualitet

Paralajmërimi i ri amerikan, pastrimi i të korruptuarve nuk ndalet te “non grata”!

Largimi i Matthew Palmerit dhe ardhja e Gabriel Escobarit në krye Byrosë së Euroazisë në Departamentin Amerikan të Shtetit nuk ndryshon gjë në politikat e ndjekura deri tani nga Uashingtoni zyrtar për Shqipërinë. Shtetet e Bashkuara nuk do ta ndalin pastrimin e politikës shqiptare nga të korruptuarit përmes mekanizmit të shpalljes “non grata”.

Kjo nënvizohet mes rreshtave nga një komunikim që gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu pati me Byronë e Euroazisë në Departamentin Amerikan të Shtetit, drejtuar tani nga Gabriel Escobar, i cili ka shërbyer si zëvendës ambasador në Beograd e më parë si Konsull i Çështjeve Ekonomike në Bagdad.

Përmes postës elektronike, Top Channel pyeti DASH-in, nëse me ardhjen e zv.Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit për Euroazinë, Gabriel Escobar, politikat e deritanishme të DASH-it për Shqipërinë mund të ndryshojnë.

Një zëdhënës i Departamentit dha këtë përgjigje:

Si asnjëherë më parë, Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për një marrëdhënie të fortë me Shqipërinë. Politikat tona në Shqipëri, përfshirë korrupsionin dhe rastet e shpalljes së personave non grata, janë shumë të mirënjohura e të artikuluara nga ambasadorja Yuri Kim, ashtu edhe nga ambasadori Philip Reeker gjatë vizitës në qershor si asistent sekretar për Byronë Europiane dhe Euroazinë. Ne presim të avancojmë marrëdhëniet me udhëheqësit shqiptarë, kur të mblidhet Parlamenti.

Ky qëndrim i SHBA-ve vjen vetëm dy ditë pas deklaratës së Sali Berishës në emisionin Now të Erla Mëhillit në Euronews. I shpallur non grata nga DASH, ish-kryeministri refuzon kërkesën amerikane për të mos hyrë në Kuvend e kërkon prova e fakte lidhur me akuzat për korrupsion. Krahas Berishës, Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur non grata dhe ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako e ish-deputetin Tom Doshi.