Aktualitet

Partia Demokratike, “SPAK të arrestojë Veliajn!”

Për të dytën ditë radhazi, Partia Demokratike i kërkon SPAK-ut arrestimin e Erion Veliajt duke e cilësuar kryebashkiakun e Tiranës, “përgjegjës kryesor për shkatërrimin e godinës së Teatrit Kombëtar”. Deputetja e zgjedhur, Albana Vokshi:

Të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit dhe sot SPAK duhet ta tregojë këtë duke arrestuar menjëherë Erion Veliaj, autorin dhe përgjegjësin direkt të shembjes së Teatrit, i cili ka shpërdoruar detyrën dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit ka shkatërruar një pasuri kombëtare. Qytetarët shqiptarë duan drejtësi, qytetarët shqiptarë meritojnë drejtësi, prandaj krimi shtetëror i kryer nga Edi Rama dhe Erjon Veliaj, i provuar nga trupa gjyqësore e Kushtetueses, duhet të ndëshkohet një orë e më parë.

Për demokratët, para drejtësisë duhet të dalë edhe kryeministri Rama e çdo zyrtar që shkeli ligjin lidhur me Teatrin.

Gjykata Kushtetuese foli qartë dje se çdo vendimmarrje për Teatrin Kombëtar ka qenë antikushtetuese ndaj kushdo që është kapur në flagrancë për korrupsion aktiv dhe për dëmin financiar miliona euro, të shkaktuar nga prishja e Teatrit Kombëtar, kushdo që ka abuzuar me pushtetin, duke filluar nga Edi Rama e Erjon Veliaj, çdo nënpunës në administratë që është bërë pjesë e vendimmarrjes antikushtetuese e antiligjore, çdo punonjës policie që u përfshi në aktin e dhunës së shembjes barbare, duhet të përgjigjet para drejtësisë!

Një vit më parë, Opozita depozitoi në SPAK një padi penale për shembjen e Teatrit dhe tani i kërkon Prokurorisë të mos vonojë hetimet.