Aktualitet

Pas bllokimit 3 javor nga bora, hapet rruga drejt Thethit

Turistët që dëshirojnë të vizitojnë Parkun Kombëtar të Thethit në këto ditë të fundit të vitit mund të udhëtojnë tashmë, pasi rruga është e hapur.

Drejtori i i Zonave të Mbrojtura në Shkodër, Agim Dardha, tha sot se “rruga drejt Thethit, me gjatësi 16 km, është hapur ditën e djeshme nga dëbora pas gati 3 jave punë”.

“Hapja e rrugës u mundësua nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili ka kontraktuar një firmë që ka bërë të mundur hapjen e saj”, – theksoi Dardha.

Dardha këshillon që kalimi të bëhet me goma dimërore dhe zinxhirë, pasi nga prania e akullit ka rrezik në lëvizjen e mjeteve.

“Bllokimi i rrugës ka ndikuar negativisht edhe në turizëm, për shkak se janë anuluar rezervimet në bujtinat dhe hotelet e zonës”, tha Dardha.

Sipas tij, trashësia e dëborës në Qafë-Thorë arrin deri në 4 metër, ndërsa në fshat nuk është se ka shumë dëborë.

Parku Kombëtar i Thethit, i ndodhur mes Alpeve me një bukuri mahnitëse, në veri të Shqipërisë, tashmë është shndërruar në një panoramë mahnitëse ku bardhësia e dëborës ndërthuret me natyrën e egër alpine. Vizitorët në këtë park mund të shijojnë peizazhin e mrekullueshëm si dhe të eksplorojnë shtigjet interesante që janë atraktive për turistët e aventurës.

Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve shqiptare e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar.