Bota

Pas fitores në zgjedhje, Putin bën deklaratën e fortë: Nuk përjashtohet konflikti me NATO-n!

Presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi se një konflikt në shkallë të plotë me NATO-n nuk mund të përjashtohet. Deklarata u bë në një konferencë shtypi në Moskë për të shënuar fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale, të shoqëruara me akuza për manipulim.

Në rast të një konflikti të plotë me NATO-n, bota do të ishte vetëm një hap larg një lufte të tretë botërore. Unë mendoj se nuk ka gjasa që dikush të jetë i interesuar për këtë. Ushtarë të shumtë nga vendet anëtare të NATO-s janë vendosur tashmë në Ukrainë. Ne tashmë e dimë këtë. Frëngjishtja dhe anglishtja janë dëgjuar tashmë në fushën e betejës. Kjo nuk është asgjë e mirë, veçanërisht për ta sepse po vdesin atje në një numër të madh.

Ukraina mbrohet kundër Rusisë me ndihmën perëndimore prej më shumë se dy vitesh. Komisioni Zgjedhor i Rusisë tha se Putin fitoi një rezultat rekord prej rreth 88% të votave. Në zgjedhjet e mëparshme presidenciale në vitin 2018, fitoi 76,7% të tyre. Asnjë kandidat i vërtetë i opozitës nuk u lejua të kandidojë në votimin treditor, të datave 15-17 mars 2024.

Në mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, që konsiderohen të manipuluara, Putin dëshiron të tregojë se e ka mbështetjen e plotë të popullit, siç thonë ekspertët.

Synimi i Kremlinit është të ketë mbështetje për luftën e Rusisë në Ukrainë. Ideja është që miliona rusë t’i miratojnë vendimet e Putinit, të dy viteve të fundit, tha Maksim Trudolyubov, studiues në Institutin Kennan.

Në disa deklarata të bëra pak pas shpalljes së fitores së tij, presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se zgjedhjet kanë treguar se kombi është “një ekip”. Në këto zgjedhje, shefi i Kremlinit garoi me tre emra relativisht të panjohur, politikanë të afërt me Kremlinin. Duhet thënë se fushatat e tyre zgjedhore, nuk morën shumë vëmendje, duke u lënë në hije.

Vëzhguesve të pavarur nuk iu mundësua pjesëmarrja në zgjedhje, çka ndodhi për herë të parë në historinë post-sovjetike, po sipas ekspertëve. Votimet janë mbajtur edhe në territoret ukrainase të pushtuara prej Rusisë, ku gjenden qindra mijëra ushtarë rusë. Shtetet e Bashkuara deklaruan se këto zgjedhje nuk ishin as të lira dhe as të drejta.