Bota

Pasi e konsideroi “kasap”, Biden thotë se Putin nuk duhet të qëndrojë më në pushtet

Presidenti rus Vladimir Putin nuk duhet të qëndrojë më në pushtet dhe lufta e tij kundër Ukrainës ka qenë një dështim strategjik për Moskën, tha të shtunën Presidenti amerikan Joe Biden para një turme njerëzish të mbledhur në Varshavë.

Presidenti Biden shtoi se lufta e Rusisë në Ukrainë, që tashmë ka hyrë në muajin të dytë të saj, ka bashkuar edhe më shumë Perëndimin.

Më herët Presidenti amerikan garantoi Poloninë se Shtetet e Bashkuara do të mbronin çdo pëllëmbë të NATO-s në rast të një sulmi nga Rusia.

Gjatë një takimi me Presidentin polak Andrzej Duda ai tha se Varshava po mbante barrën më të madhe të krizës së refugjatëve të krijuar nga lufta në Ukrainë, një vend fqinj me të.

“Stabiliteti në Evropë është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara, për sa i përket interesave tona jo vetëm në Evropë por në mbarë botën”, tha Presidenti Biden gjatë takimit me homologun e tij polak në prani të delegacioneve respektive.

Zoti Biden tha se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë nenin 5 të Traktatit të NATO-s si një angazhim të shenjtë duke shtuar se uniteti i aleancës ushtarake perëndimore ishte i një rëndësie të madhe. Neni 5, nënvizon një parim unik dhe të qëndrueshëm që lidh anëtarët e aleancës së bashku, duke i angazhuar ata të mbrojnë njëri-tjetrin.

Presidenti amerikan i tha homologut të tij polak se ai e kuptonte që Polonia po merrte përsipër një përgjegjësi të madhe, por kjo sikurse tha ai, duhet të jetë e gjitha përgjegjësi e NATO-s. Presidenti amerikan tha se ishte i bindur se Vladimir Putin po bënte llogari për të përçarë NATO, gjë që nuk ka qenë në gjendje ta bëjë, pasi siç theksoi ai: “Aleanca ka qëndruar e gjitha bashkë”.

Duke i bërë jehonë një prej motoje jozyrtare të Polonisë presidenti amerikan i tha zotit Duda se: “Liria juaj është liria jonë”. Presidenti Biden u takua sot edhe me refugjatë të Ukrainës të cilës po qëndrojnë në Poloni. Që nga fillimi I luftës më shumë se 3.7 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe mbi 2 milionë prej tyre ndodhen në Poloni./VOA