Aktualitet

PD, nismë për dekomunistizimin!

Partia Demokratike njoftoi se do të propozojë në Kuvend një paketë të plotë ligjore lidhur me mospërdorimin e simboleve komuniste. Sipas Enkelejd Alibeajt, “kjo paketë do të sjellë me ligj dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare dhe ndarjen e saj përgjithmonë nga diktatura”. Nisma pason replikat e forta me deputetin socialist Bujar Çela, i cili uroi festat e nëntorit me foton e Enver Hoxhës.

Morëm një iniciativë të tillë për miratimin e paketës ligjore që duhet t’i përkasë dhe të përfshijë të gjithë shoqërinë shqiptare kundër diktaturës. Filluam diskutimet me grupet e interesit. Sot tregohet edhe një herë nevoja që duhet një paketë e plotë ligjore lidhur me dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare dhe një proces konsultimi i gjerë, që skena të shëmtuara si ajo e djeshmja, të mos përmenden e as të përsëriten më në të ardhmen. Iniciativa është bazuar në përvojat më të mira europiane ku dënohen krimet e komunizmit, kjo është një iniciativë e vonuar!

Një ditë më parë, në grupin e “Whatsapp” të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, me një foto ku krahas flamurit shqiptar, shfaqej edhe Enver Hoxha, Bujar Çela uroi 28 Nëntorin. Kolegët demokratë reaguan ashpër, duke i kërkuar fshirjen e mesazhit dhe Alibeaj shkruante: “O deputet faqezi, kushdo qofsh ti, hiqe këtë! Turp, turp, turp!”.

Por, Bujar Çela nuk u tërhoq. Nga Lushnja ku mori pjesë në homazhet në nder të të rënëve në Luftën e Dytë Botërore, deputeti deklaroi:

I përkas atyre që e njohin luftën dhe mendoj se figura e Enver Hoxhës nuk mund të quhet nul! Ka kontributin e tij përderisa ne nuk kemi nxjerrë ndonjë udhëheqës tjetër. Nëse ka ndonjë udhëheqës tjetër, le të shprehen se historianët janë aty. Shumë herë kemi bërë padrejtësisht armiq dhe kriminela dhe këto fakte janë nga më të ndryshmet, që nga Balli Kombëtar dhe Legaliteti, të cilët nga armiq, më pas u rreshtuan në krahun e fituesve.

Taulant Balla reagoi për rastin. Pas nderimeve për të rënët në Fier, kreu i grupit socialist u shpreh:

Unë kam marrë një sqarim nga deputeti në fjalë, që bëhet fjalë për përdorim të aparatit të tij celular nga persona të tjerë. Kjo do të jetë pjesë e një verifikimi, të sjelljes dhe etikës brenda grupit parlamentar. Çdo masë ndëshkimore do të merret në momentin që do të ketë verifikime. Do i kërkoja të gjithë kolegëve të tjerë, të raportojnë raste të tilla dhe natyrshëm që grupi parlamentar i PS-së, ka të gjithë instrumentet e nevojshme për të ndërmarrë çdo lloj hapi apo mase disiplinore.