Bota

Për shkak të përmbytjeve mijëra të bllokuar në Nevada!

Autoritetet në Nevada po hetojnë rrethanat e vdekjes së një personi në vendin ku mbahet festivali vjetor ‘Burning Man’, ku prej së shtunës në mbrëmje, mijëra pjesëmarrës, vazhdojnë të jenë të bllokuar aty, si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga stuhitë që përfshinë edhe shkretëtirën e Nevadës.

Zyra e Sherifit në Qarkun Pershing tha se vdekja ndodhi gjatë aktivitetit, por ofroi pak detaje mes hetimeve në vazhdim. Autoritetet nuk dhanë informacion mbi identitetin e personit të vdekur apo se çfarë mund të ketë shkaktuar vdekjen e tij, raportoi televizini KNSD-TV.

Zyrtarët nuk po lejojnë hapjen e portave ku ndodhen automjetet e parkuara të pjesëmarrësve në festival, i cili nisi më 27 gusht dhe pritej të përfundonte të hënën, raporton Zëri i Amerikës.
Më shumë se 13 mm shi besohet të ketë rënë të premten në vendin ku po mbahet festivali, njoftoi Shërbimi Kombëtar i Motit i qytetit të Renos duke shtuar se gjatë ditës së sotme(e dielë) pritetn edhe të paktën 7 mm shi.

Zyrtarët nuk kanë thënë ende se kur do të lejohet largimi i pjesmarrësve në festival.

Këto zhvillime ndodhën pak para momentit kulmor që lidhet me këtë ngjarje vjetore, ku si çdo vit, i vihet flaka një statuj të madhe prej druri si pjesë e traditës që shoqëron këtë aktivitet.

‘Burning Man’ është një festival që organizatorët thonë se përqendrohet tek “komuniteti, arti, mundësia për t’u shprehur lirisht nëpërmjet tyre e mbështetja tek vetja”. Ai mbahet çdo vit në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara. Festivali e ka marrë emrin nga ceremonia kulmore e tij, djegia e statujës së madhe prej druri, e quajtur Njeriu, e cila ndodh në natën e parafundit të aktivitetit, që është mbrëmja e së shtunës para Ditës së Punës.