Aktualitet

Përmbajtja e paketës së dytë të Rezistencës Sociale në vend!

Paketa e dytë e Rezistencës Sociale do të shkojë si mbështetje në çdo familje shqiptare ndërsa ka në fokus edhe sektorin prodhues e transportin. Për përballimin e krizës gjatë këtij viti, totali i mbështetjes së dhënë përmes kësaj pakete llogaritet të ketë efekt financiar prej 43.1 miliardë lekësh.

Nga ky muaj, pensionistët do të kenë indeksim me 6%. Kostoja në Buxhet për këtë periudhë të vitit llogaritet 2 miliardë lekë. Përfitues janë 674 mijë pensionistë përfitues. Në total, rritja për këtë vit e pensioneve shkon në 9.5% dhe duke qenë një masë në afat të gjatë, kosto në buxhet për vitin 2023, llogaritet 8.4 miliardë lekë.

Po nga ky muaj do të rriten pagat në sektorin publik me 7% për 41 mijë punonjës. Efekti në buxhet llogaritet 713 milion lekë në periudhën shtator-dhjetor 2022 e 2.9 miliardë lekë në vitin 2023.

Përmes Paketës së Rezistencës Sociale rriten pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit me 5,560 lekë në muaj. Përfitojnë 10,800 punonjës. Pagat e punonjësve të Policisë së Burgjeve rriten me 10,548 lekë në muaj për 3,600 punonjës. Pagat e administratës rriten me 5,000 lekë në muaj. Përfitojnë 20 mijë punonjës. Paga minimale rritet me 7% duke shkuar në 34,000 lekë. Nga fillimi i vitit, paga minimale ka shënuar rritje me 13% dhe rritja neto nga fillimi vitit për 200 mijë punonjës llogaritet 3,500 lekë.

Nëpërmjet kësaj pakete, qeveria vendosi të dyfishojë rritjen e masës së përfitimit për gratë kryefamiljare me dy fëmijë; personat mbi 65-vjeç të vetmuar, pa pension pleqërie apo pension social. Për periudhën shtator-dhjetor të këtij viti, efekti financiar i kësaj mase llogaritet 236 milion lekë. Për vitin 2023, kosto në buxhet shkon 944 milion lekë dhe përfitues janë 64 mijë familje.

Paketa e Rezistencës Sociale prek edhe personat me aftësi të kufizuar. Për këtë kategori pritet indeksim i pagesës me 7.5%. Efekti financiar për periudhën shtator-dhjetor llogaritet 188 milionë lekë. Për vitin 2023, kjo kosto shkon në 752 milion lekë dhe përfitues janë 90 mijë qytetarë. Paketa ofron mbështetje shtesë për energjinë elektrike për para-tetraplegjikët e të verbërit. Efekti financiar i kësaj mase për periudhën shtator-dhjetor 2022 është 31 milion lekë. Për vitin 2023, llogaritet 123 milion lekë e përfitues janë 11,411 persona.

Fermerët do të vijojnë të mbështeten edhe në këtë Paketë të dytë Rezistence. Fondi shtesë i akorduar është 500 milion lekë për naftën, duke e çuar në 2 miliardë lekë në total mbështetjen për vitin 2022, për 34 mijë përfitues. Po ashtu, qeveria ka akorduar një fond prej 500 milion lekësh mbështetje për fermerët, për mbjelljen e grurit. Mbështetja për sektorin e peshkimit rritet me 200 milion lekë për rimbursimin e TVSH-së së naftës për 200 përfitues.