Sport

Përmbysje dramatike në minutën e fundit, Korea e Jugut fiton me Portugalinë dhe kalon në 1/8! Luzitanët kokë grupi!

Korea e Jugut fitoi 2-1 me përmbysje kundër Portugalisë duke kaluar në fazën e 1/8 të Botërorit. Të dyja skuadrat kalojnë në fazën me eleminim direkt, teksa luzitanët janë kokë grupi. Dramatike sfida në Al Rayyan, me aziatikët që golin e fitores dhe përmbysjes e shënuan në minutën e 90+1 me Huang Hee-Chan.

Ndeshja nisi mirë për portugezët që kaluan në avantazh me Horta pas vetëm pesë minutave lojë. Aksioni i bukur me tre prekje dhe asisti i Dalot sollën golin e parë të ndeshjes. Kur dukej se luzitanët ishin në kontrollin e lojës, Kim Young në minutën e 27 barazoi ndeshjen.

Në pjesën e dytë, aziatikët kërkuan me ngulm golin që në fund erdhi nga Huang Hee Chan. Do duhej minuta e 90+1 e ndeshjes që Korea e Jugut të shënonte golin e përmbysjes dhe atë që i dërgoi në 1/8 e Botërorit, duke lënë jashtë Uruguain.

Pas tre ndeshjeve në grupin H, Portugalia me gjashtë pikë kalon si kokë grupi në fazën me eleminim direkt, teksa Korea e Jugut me katër pikë si e dyta. Po katër pikë ka edhe Uruguai që mbetet jashtë për shkak të golavarazhit. Zhgënjim në këtë event Gana, që mbetet në fundin e renditjes me tre pikë.