Aktualitet

Shirat e dendur, përmbytje në Malësinë e Madhe e në Ksamil!

Moti i keq me reshje shiu ka shkaktuar përmbytje në veri të vendit. Në territorin e Malësisë së Madhe raportohet për dalje nga shtrati të përrenjve e bllokim të kolektorëve. Dëme të shumta ka patur në disa banesa e biznese, ku sipas të dhënave të emergjencave civile janë 20 shtëpi të përmbytura në katet e para. Probleme edhe me qarkullimin prej orëve të para të mëngjesit. Po ashtu pati ndërprerje të energjisë elektrike në shumë fshatra. Qytetarët në nevojë për ndihmë duhet të telefonojnë numrin pa pagesë 112.

Njoftimi zyrtar:

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe daljes nga shtrati i perrenjve, janë shkaktuar dëme materiale në disa banesa e biznese. Shërbimet e Policisë së Shtetit, të Policisë Bashkiake dhe Emergjencat Civile ndodhen në terren, për të ndihmuar drejtuesit e automjeteve dhe banorët që gjenden në vështirësi. Qytetarët që kanë nevojë për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112!

Përmbytje edhe në jug të vendit. Nga shirat, janë përmbytur rrugë e biznese në Ksamil. Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se për ditën e sotme, vendi ynë do të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të paqëndrueshme, si rezultat i masave ajrore të lagështa me origjinë veriperëndimore. Dita nisi me vranësira mesatare deri të dendura, si edhe me intervale të herëpas’hershme me kthjellime, kryesisht në zonën e qendrës dhe në jug.

Vranësirat e dendura në zonën e veriperëndimit e lokalisht në jug, shoqërohen me reshje shiu me intensitet mesatar lokalisht dhe në periudha afatshkurtra, deri të lartë në pjesën e dytë të ditës.

Në këto zona, reshjet do të jenë problematike në periudha afatshkurtra, në formën e stuhive të forta dhe rrebesheve, shoqëruar me shkarkesa të forta elektrike e breshër. Në qendër, ka reshje të herëpas’hershme me intensitet të ulët deri dhe mesatar, në formën e shtrëngatave. Mjegull/mjegullinë për shkak të reshjeve të shiut.

Era fryn me drejtim juglindje-jugperëndim e me shpejtësi mesatare 3-10 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në lugina, era bëhet intensive e relativisht problematike. Po ashtu, fiton shpejtësi deri në 15-20 m/sek. Temperaturat variojnë 5-23 gradë celcius.