Aktualitet

Pësoi infarkt teksa interesohej për datën e gjyqit, qytetari ndërroi jetë në Gjykatën e Tiranës!

Një qytetar humbi jetën në mjediset e Gjykatës së Tiranës, dyshohet arrest kardiak ndërsa qëndronte i ulur në një stol. Dëshmitarë në vendngjarje treguan se burri i moshuar ishte paraqitur në ambientet e gjykatës për të pyetur për datën e një gjyqi.

 Erdhi të pyeste për orën e gjyqit, por nuk ndihej mirë dhe u ul në stol.

Gjyqtarët e Tiranës po përballen me ngarkesa të mëdha, situatë e lidhur e lidhur me procesin e vetting-ut dhe hartën e re gjyqësore.  Sipas informacioneve, një gjyqtar i vetëm në Dhomën Penale të Gjykatës së Tiranës ka firmosur 1000 vendime përgjatë vitit 2023, ndërsa kolegë të Dhomës Civile shqyrtuan deri në 2300 çështje për gjyqtar. Por, pavarësisht stokut të madh të dosjeve, Gjykata e Tiranës thotë se ecuria e proceseve gjyqësore, ka qenë pozitive.

Më së shumti konstatohet fakti se ndonëse numri i gjyqtarëve, aktualisht pjesë efektive e organikës së trupës gjyqësore pranë kësaj gjykate, është sa gjysma e kapacitetit të parashikuar me ligj (76 gjyqtarë në total), puna që përballohet prej këtij numri thuajse të përgjysmuar gjyqtarësh është vetëm në rritje. Gjatë vitit 2023, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, rezultojnë të jenë gjykuar/shqyrtuar 48.000 çështje gjyqësore.

Ngarkesa mesatare e një gjyqtari në Dhomën Civile, në datën 31.12.2023, është 500 – 1.000 dosje në gjykim.  Një gjyqtar në dhomën civile rezulton të ketë përfunduar/shpallur, arsyetuar dhe dorëzuar mesatarisht 700 – 1.000 vendime përfundimtare, gjatë periudhës 1 janar – 31 Dhjetor 2023.

Në kuadër të “Programit të Transparencës”, Zyra e marrëdhënieve me publikun dhe Median në Gjykatën e Tiranës, bëri publike iniciativën e ndërmarrë që ka qëllim transparencë të plotë për proceset gjyqësore.

Nga Këshilli i Gjykatës është kërkuar që në momentin e kryerjes së njoftimeve procedurale të palëve në proces, t’u komunikohet njëkohësisht edhe kodi i anonimizimit të çështjes tek e cila janë palë në gjykim. Në mënyrë që të kenë të drejtën e aksesit dhe të marrjes së informacionit të nevojshëm direkt nëpërmjet të dhënave të publikuara në faqen zyrtare online të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, jo vetëm për datën dhe orën e seancave gjyqësore, por gjithashtu edhe për të gjithë ecurinë e gjykimit.

Po ashtu është urdhëruar “nxjerrja si dhe vënia në dispozicion e informacioneve/ të dhënave/ vendimeve të ndryshme, të kryhet vetëm në formë dhe në rrugë zyrtare”. Kalendari i seancave gjyqësore do të publikohet online, me qëllim që palët të kenë akses. Programi i transparencës parashikon publikimin në një kohë sa më të shpejtë të vendimit të gjykatave, si ne momentin e shpalljes, po ashtu dhe vendimeve përfundimtare.