Aktualitet

20 ditë burg Jetnor Zhabolit që izoloi familjen/35-vjeçari: E bëra për t’u kujdesur!

“Burg me afat 20 ditor”. Kështu vendosi sot Gjykata e Tiranës për Jetnor Zhabolin, i cili pak ditë më parë tronditi opinionin për mënyrën shokuese të “burgosjes” së familjarëve në një apartament në zonën e Selitës së Vjetër në kryeqytet. Ndërkaq priten rezultatet e ekspertizës për t’i përcaktuar gjendjen e shëndetit mendor. Avokati i Zhabolit kërkoi që të shtrohet përkohësisht në spital.

E bëra për t’u kujdesur për familjen time, ishin fjalët e  35-vjeçarit.

Policia e Tiranës u vu në lëvizje të enjten e datës 25 janar, pas një telefonate sinjalizuese në sallën operative. Kur shërbimet policore shkuan në banesë, ata gjetën derën e mbyllur dhe nga përtej u përgjigj nëna e tij 66-vjeçare, duke rrëfyer se djali, Jetnori i kishte mbyllur me çelës.

Pasi uniformat blu i çliruan nga “burgu” i kryefamiljarit, vijuan me marrjen e dëshmive të të gjithë anëtarëve të familjes. Në prani të psikologes, bashkëshortja e Jetnorit rrëfeu tmerrin e jetuar prej një viti e gjysmë. Por, denoncimin nuk e bëri asnjëherë, me argumentin se e do Jetnorin.

Prej një viti e gjysmë, unë jetoj si në burg, dhunohem nga bashkëshorti, por nuk e kam kallëzuar për shkak se e dua Jetnorin. Kam një vit e gjysmë që jetoj në banesë me kamera, pa dritë, nuk dal vetëm, nuk kam telefon dhe më mban të izoluar në banesë. Sot në mëngjes kur doli Jetnori nga shtëpia rreth orës 08:30 për të çuar në kopsht djalin, na mbylli me çelës mua, vjehrrën dhe vajzën e mitur 9-vjeçare.

E reja tregoi edhe se Jetnori e ka dhunuar fizikisht, për herë të fundit dy ditë para se policia të ndërhynte në banesë e të zbulonte tmerrin ku jetonin katër persona, me kamera vëzhgimi, bllokues valësh, sensorë dhe përgjues.  Bashkëshortja e Jetnor Zhabolit rrëfeu luftën që ajo bëri për ta kuruar.

Edhe nëna e Jetnor Zh., një grua 66 vjeçe, tregoi para hetuesve betejën e saj për të kuruar djalin, pasi mendon se ka probleme të shëndetit mendor.  66-vjeçarja dha detaje për xhelozinë e sëmurë që sipas saj i ka kapluar djalin, si pasojë e së cilës bashkëshortes i ka bllokuar çdo komunikim me botën jashtë, duke e shtyrë të tentojë vetëvrasjen.