Bota

“Pfizer&BioNTech” kërkojnë miratimin e vaksinës anti-COVID për fëmijët 5-11/vjeç!

“Pfizer” dhe “BioNTech” njoftuan sot se vaksina anti-COVID e prodhuar prej tyre është e sigurt dhe efikase, edhe te fëmijët e grupmoshës 5-11/vjeç. Kompanitë planifikojnë t’i dorëzojnë informacionin përkatës Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Ilaçeve, Agjencisë Europiane të Medikamenteve e rregullatorëve të tjerë. Kompanitë thanë se synimi është që vaksina të injektohet me dozë më të ulët se ajo që jepet për personat mbi 12-vjeç.

Rezultatet janë një bazë e fortë për të kërkuar autorizimin e vaksinës sonë për fëmijët 5 deri në 11-vjeç dhe ne planifikojmë ta dorëzojmë kërkesën me urgjencë në FDA e rregullatorët e tjerë.

Nuk përjashtohet mundësia që në Amerikë të merret një vendim brenda tre javësh. Më vonë gjatë vitit, Pfizer&BioNTech pritet të shpallin edhe rezultatet e testimit të vaksinës për fëmijët nën 5-vjeç.

Që nga muaji korrik, rastet e fëmijëve me COVID-19 janë rritur me rreth 240% në SHBA, duke theksuar nevojën e për vaksinim.

Muajt e fundit shtrimet në spital dhe vdekjet nga COVID-19 janë rritur në Shtetet e Bashkuara, për shkak të variantit shumë ngjitës Delta. Një autorizim i shpejtë mund të ndihmojë në zbutjen e një rritjeje të mundshme të rasteve në vjeshtë, veçanërisht pasi shkollat janë hapur.

Në një tjetër zhvillim, nga sot, spitalet në Britaninë e Madhe kanë filluar përdorimin e një ilaçi të posaçëm kundër koronavirusit. Eshtë fjala për medikamentin “Ronapreve”, i miratuar para një muaji nga Autoriteti për Ilaçet dhe Produktet Shëndetësore.

Në Britani u dha drita e gjelbër për përdorim spitalor te personat që janë të shtruar në repartin intensiv apo ndaj atyre që nuk mund të krijojnë vetë anti-trupa. “Ronapreve” është një kokteil anti-trupash, që ndihmojnë organizmin e njeriut të luftojë virusin.