Aktualitet

Plagosi me thikë bashkëjetuesin, pranga 33-vjeçares në Fier!

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, një 33-vjeçare u arrestua në Fier për plagosjen e bashkëjetuesit. Në orët e para të mëngjesit të 8 marsit, në lagjen “Liri”, Arinarda Asllani, nënë e tre fëmijëve goditi me thikë 33-vjeçarin me iniciale A.J, i cili u dërgua në spital jashtë rreziku për jetën.

Paraprakisht, mësohet se në gjendje të dehur shkoi në banesën e saj dhe pas një debati të ashpër, situata degradoi në konflikt fizik mes tyre e gruaja e qëlloi me mjetin prerës. Për Asllanin, kjo nuk ishte hera e parë. Edhe në vitin 2013, 33-vjeçarja plagosi me thikë ish-bashkëshortin. Tashmë është arrestuar nga uniformat blu.

Ndërkaq, në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë është vendosur instalacioni “Këpucët e kuqe”, për të mos qëndruar aty vetëm një ditë. Ato simbolizojnë gratë e vrara nga bashkëshortët apo familjarët.

Kjo mënyrë të protestuari daton nga 20 gushti 2009, kur arkitektja dhe artistja meksikane, Elina Chauvet realizoi një instalacion në kujtim të qindra mijëra vajzave të reja që u zhdukën, u torturuan dhe më pas u vranë në Juárez, në kufirin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, gjatë viteve 1990 dhe 2000.

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Gruas pati protesta në Tiranë, si edhe në qytete të tjera të vendit përfshirë Durrësin dhe Elbasanin. Para Kryeministrisë në kryeqytet kërkuan respektimin e të drejtave të tyre. Po ashtu bënë thirrje për fuqizimin e ligjit për mbrojtjen e jetës së gruas, ndërsa më 1 mars, tre gra u vranë e tre të tjera u plagosën në kryeqytet.

Me mesazhin se “gruaja është forca zhvilluese e një shoqërie demokratike dhe respektimi i të drejtave të saj do të sjellë stabilitet e zhvillim për vendin”, pjesëmarrëset me pankarta në duar zhvilluan një protestë paqësore. Ato apelojnë që gratë të bashkohen dhe zëri i tyre të dëgjohet nga institucionet e shoqëria, të cilat shpesh kanë tentuar t’i bëjnë të heshtin.