Aktualitet

Plagosja për hakmarrje e 60-vjeçares në Lushnjë, ende asnjë gjurmë nga autori!

Një ditë pas ngjarjes ku mbeti e plagosur shtetasja Bajame Seneja, policia e Lushnjës ende nuk ka rënë në gjurmët e autorit të identifikuar. Deri sot në mëngjes u kryen kontrolle në zonë, por pa dhënë një rezultat. Për këtë ngjarje policia deklaron se ka të dyshuar shtetasin Armando Hasalla. Atentati lidhet me një përplasje që dy familjet me mbiemrin Hasalla kanë për pronësinë e një sipërfaqeje toke.

Pas një konflikti mes dy familjeve, më 29 korrik të vitit 2021 mbeti i vrarë Romeo Hasalla 30-vjeç dhe autor ishte shtetasi Kastriot Hasalla, i cili u dënua me 35 vjet burg. Në Gjykatën e Lushnjës, ditën e djeshme u zhvillua seanca tjetër gjyqësore për bashkëpunëtoret e Kastriotit në ngjarje. Eshtë fjala për vëllain Afrimin dhe djalin Marjus. Në fund të gjykimit, për Afrim Hasallën gjykata vendosi dy vjet heqje lirie, ndërsa për Marjus Hasallën, një vit e gjashtë muaj burg.

Pas përfundimit të seancës gjyqësore, rrugës për në shtëpi ndaj makinës ku udhëtonte Marjusi se bashku me hallën e tij u qëllua me armë. Për këtë ngjarje, Afrimi akuzon familjen e Shaip Hasallës, djalin e tij Armando Hasalla.

Një ditë pas atentatit, Shaip Hasalla u shpreh se nuk ka lidhje me këtë krim. Ai deklaroi se “kjo ngjarje është e inskenuar nga vetë familja e Kastriotit”.

Djemtë e mi janë në Itali dhe në Greqi. Pas kësaj ngjarjeje unë ndihem i kërcënuar e kam kërkuar ndihmën e policisë.

Nga uniformat blu, autori i plagosjes së 60-vjeçares në fshatin Ballagat të Lushnjës është identifikuar si shtetasi me inicialet A.H. Bajame Seneja mbeti e plagosur në këmbë, pasi iu bë pritë nga persona që lëvizën me një makinë tip “Volkswagen”. E lënduara u dërgua në spital, ku raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.