Aktualitet

Policët e Burgjeve jo me armë jashtë shërbimit, ripranohen të dorëhequrit!

Punonjësit e Policisë së Burgjeve nuk do të mbajnë më armë jashtë shërbimit. Vendimin e njoftoi sot ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja pas mbledhjes së qeverisë, ku u miratuan disa ndryshime në ligjin “Për Policinë e Burgjeve”. Manja vuri në dukje se me anë të këtyre ndryshime, synohet rregullimi i sistemit të gradave të ulëta dhe të mesme në Policinë e Burgjeve.

Sot kemi problematikë për gradat e mesme. Duke patur mungesë të punonjësve të policisë së rolit bazë është bllokuar efekti zinxhir në nivelet e mesme e në ato të larta. Ne synojmë të rregullojnë sistemin e gradave në Policinë e Burgjeve, duke e bërë sistem karriere. Jo çdokush që vjen nga jeta civile mund të bëhet pjesë e Policisë së Burgjeve. Tanimë, përparimi në gradë dhe ngritja në detyrë në Policinë e Burgjeve do të kenë efekt zinxhir. Ndryshimi i fundit ka të bëjë me përdorimin dhe llojet e armëve që u lejohet të përdorin policët e burgjeve. Me këto ndryshime, punonjësve nuk do t’u lejohet mbajtja e armëve jashtë shërbimit.

Po ashtu, Manja deklaroi se ndryshimet e miratuara në ligj, përcaktojnë rregulla të qarta për ripranimin në Policinë e Burgjeve të ish-punonjësve të larguar me dorëheqje e hapin dritare për pranimin edhe të kandidatëve të tjerë nga struktura policore ose ushtarake që plotësojnë kriteret sipas ligjit.

Një tjetër zgjidhje që vjen për Policinë e Burgjeve me anë të këtyre ndryshimeve, ka të bëjë me plotësimin e vakancave. Ministri Manja shprehet se aktualisht ka një numër të lartë të vakancave dhe nëpërmjet këtyre ndryshimeve do të marrë zgjidhje kjo problematikë.

Heqim kufirin e moshës deri 35 vjeç për t’u bërë pjesë e Policisë së Burgjeve, pasi ky kufizim moshor nuk ka rezultuar efektiv në zbatimin në praktikë. Vendosja e kufizimeve moshore është kriter diskriminues. Ne me këtë ndryshim, e heqim këtë kufizim moshor.