Aktualitet

Policia infiltrohet te Trauma, në pranga disa mjekë për korrupsion!

Një aksion i policisë është kryer sot në ambjentet e Spitalit të Traumës në Tiranë.

Gazetarja Dorjana Bezat tha për Top Channel se si rezultat i këtij aksioni dy mjekë të spitalit të Traumës janë shoqëruar në komisiariat.

Mjeku është prangosur brenda në spital pasi është kapur duke marrë 20 mijë lekë për të ofruar shërbimin ndaj një pacienti. Dyshohet se bëhet fjalë për mjekun reanimator Fitim Marku.

Për të kishte pasur shumë denoncime se merrte para dhe kjo ka bërë që policia ta monitoronte deri në momentin e prangosjes. Në spital është futur si pacient një agjent i infiltruar, i cili i ofroi mjekut shumën prej 20 mijë lekësh, të cilën ai nuk e ka refuzuar.

Në orët e vona një tjetër mjeke dhe një infermiere janë shoqëruar nga Policia, pas operacionit anti-korrupsion që u zhvillua sot në spitalin e Traumës.

“Merrnin para nga pacientët për kryerjen e skanerave, arrestohet mjeku, shoqërohen dy të tjerë. Sot më datë 23.09.22, pas një pune hetimore disa javore me metoda speciale të hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë, u finalizua operacionit policor ‘Skaneri’. Nga veprimet hetimore të kryera për llogari të procedimit penal nr.6013, viti 2022, u kap në flagrancë dhe u bë shoqërimi në ambientet e drejtorisë vendore të policisë Tiranë, i shtetasve të mëposhtëm:

F.M., me profesion mjek reanimator;

K.B. me detyrë infermiere; dhe

S. B., me detyrë mjeke.

Nga hetimet e kryera deri më tani, rezultonte se këto shtetas, merrnin shuma të konsiderueshme parash nga pacientë të ndrydhëm për kryerjen e skanerave pranë Spitalit të Traumës në Tiranë. Hetimet vazhdojnë për dokumentimin e veprimeve të tjera të kryera edhe nga personel tjetër mjekësor i përfshirë në këtë skemë korrupsioni”, thuhet në njoftim.