Bota

Presidenti amerikan Biden për Netanyahun: Po bën “gabim” në Gaza!

Presidenti amerikan, Joe Biden tha se beson se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu po bën “gabim” në mënyrën si po e trajton Gazën. Në një intervistë për Univision, rrjet televiziv në gjuhën spanjolle, deklaroi:

Unë mendoj se kjo që po bën ai, është gabim. Nuk jam dakord me qasjen e tij. Gaza duhet të ketë qasje të plotë në të gjitha ushqimet dhe barnat, në gjashtë deri në tetë javët e ardhshme.

Javën e kaluar, Biden paralajmëroi se mbështetja e vazhdueshme e SHBA-ve për luftën e Izraelit do të varet nga fakti se sa do të lejojë hyrjen e ndihmave e të ilaçeve. Izraeli mohon se pengon hyrjen e ndihmave brenda Gazës, duke thënë se janë agjencitë e OKB-së që kanë dështuar në shpërndarjen e tyre.

Izraeli nisi një fushatë sulmesh në Gazën e banuar me palestinezë pasi Hamasi, grup i shpallur terrorist nga SHBA-të e të tjera vende, sulmoi territorin izraelit tetorin e kaluar, duke vrarë mbi 1.200 njerëz. Qindra të tjerë u morën peng. Autoritetet izraelite thonë se nga 130 pengjet që mbahen në Gaza, të paktën 34 kanë humbur jetën.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e udhëhequr nga Hamasi, thotë se mbi 33.000 banorë të Gazës janë vrarë që kur Izraeli nisi ofensivën. Pjesë të mëdha të territorit janë shkatërruar dhe shumë prej banorëve vuajnë nga uria. Biden u shpreh se është “e neveritshme” si automjetet e organizatave të ndihmës “janë goditur me dronë”.

Unë kërkoj që izraelitët të bëjnë thirrje për armëpushim, të lejojnë brenda gjashtë deri në tetë javët e ardhshme qasje të plotë në të gjitha ushqimet dhe barnat që shkojnë në atë vend.

Më herët, Biden ka thënë se Hamasi duhet të pranojë një armëpushim dhe lirimin e pengjeve të mbetur.

Izraeli ka thënë se do të hapë një vendkalim drejt Gazës veriore e një port me ujë të thellë, për të mundësuar qarkullimin e më shumë ndihmave në zonë. Por, nuk është e qartë se kur do të mund të ndodhin këto.

Biden është duke u përballur me presion të brendshëm për shkak të Izraelit. Gjatë javëve të fundit, ai e ka ashpërsuar retorikën edhe kundrejt kryeministrit Netanyahu. Por, furnizimet ushtarake, përfshirë bomba, raketa e municione kanë vazhduar të dërgohen nga Amerika në Izrael, pa ndërprerje.

Izraeli ka marrë ndihmë nga SHBA-të më shumë se çdo vend tjetër që nga Lufta e Dytë Botërore. Shtetet e Bashkuara, tradicionalisht e kanë mbrojtur Izraelin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe kanë vënë veto ndaj tri projekt-rezolutave për luftën në Gaza. Muajin e kaluar, Amerika abstenoi kur Këshilli i Sigurimit kërkoi armëpushim të menjëhershëm në Gaza.