Sport

FIA mbështet ndërtimin e automotoparkut të parë shqiptar në Elbasan

Kryeministri Rama publikoi një video-mesazh të presidentit të FIA-s. Ikona e Motosportit botëror Jean Todt, ka mbështetur ndërtimin e Automotoparkut të parë shqiptar, që do të investohet nga DPSHTRR në Krastë, Elbasan. Në një video mesazh të publikuar nga kryeministri Rama, Todt thotë se ky projekt është në përputhje me përparësitë e FIA.

Kreu i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, Jean Todt ka përshëndetur iniciativën e qeverisë për ndërtimin e një autoparku në qytetin e Elbasanit. Videomesazhin e tij, e ka publikuar kreu i Qeverisë Edi Rama.

“Di që Shqipëria ka një projekt për krijimin e një qendre kushtuar sporteve automobilistike por edhe edukimit dhe formimit. Sigurisht FIA e mbështet këtë iniciativë që është në përputhje me përparësitë e saj”.

Ndër të tjera, Jean Todt vlerëson dhe masat e marra për sigurinë rrugore.

“Sot dua të përgëzoj këtë angazhim politik për një kontroll më të mirë të shpejtësisë në qendrën e qytetit dhe pranë shkollave duke iu kushtuar vëmendje të madhe përdoruesve të rrugës, veçanërisht këmbësorëve dhe çiklistëve”.

Autoparku i pare Shqiptar parashikohet të ndërtohet në Krastë të Elbasanit, me një sipërfaqe mbi 500 mijë metra katror.