Rajoni

Presidenti serb Vuçiç: Qëllimi i Perëndimit është që Serbia ta njohë Kosovën/Fundjavën e ardhshme pritet dialog!

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç mendon se “qëllimi i vetëm” i Perëndimit është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe pret që “dialogu Prishtinë-Beograd të vazhdojë në fund të javës së ardhshme, në Bruksel”. Deklaratat i bëri gjatë një fjalimi në televizionin Pink, pasi dje në Beograd u takua me pesë diplomatë perëndimorë. Vuçiç përsëriti se takimi i djeshëm ishte “i vështirë” për të dhe se nuk mund të jepte më shumë hollësi.

Natyrisht, gjithçka rreth Kosovës është tejet e vështirë për ne. Njerëzit mendojnë se kjo është vetëm për shkak të Banjskës, por nuk është ashtu. Për ne ishte e tmerrshme në aspektin taktik e prodhoi pasoja të caktuara, por në kuptimin strategjik, qëllimi i vetëm i tyre është që ne ta njohim Kosovën.

Beogradi i mohon akuzat e Prishtinës se Serbia tentoi të “aneksojë veriun e Kosovës” kur një grup serbësh të armatosur sulmuan policinë më 24 shtator, në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Pas takimit me Vuçiçin, përfaqësuesi special i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak përsëriti se “ata që sulmuan policinë e Kosovës në Banjskë duhet të dalin para drejtësisë”.

Ngjarja duhet të hetohet tërësisht! Serbia të bashkëpunojë në këtë çështje.

Në takimet e një dite më parë në Prishtinë dhe Beograd me Albin Kurtin e Aleksandër Vuçiçin, emisarët perëndimorë iu kërkuan t’i normalizojnë marrëdhëniet e të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit. Lajçak tha se “shtensionimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë janë më urgjente se kurrë më parë”.

I pyetur nëse pret trysni, Vuçiç tha se “vendet e Perëndimit kanë politikat dhe qëndrimet e veta, plotësisht të kundërta me të Serbisë”.

Ne duhet ta kuptojmë atë realitet. Shtetet e Bashkuara nuk do ta ndryshojnë qëndrimin, Gjermania nuk do ta ndryshojë qëndrimin.

Pas bisedimeve me pesëshen diplomatike, kryeministri Kurti theksoi se prioritet kryesor e çështje urgjente për Kosovën janë siguria e shtetit, e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit.

Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorizim e pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje.

Në lidhje me dialogun theksoi se “është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re”.