Aktualitet Rajoni

Procesi zgjedhor në BE do të ndikojë edhe në angazhimet në Ballkan!

Bashkimi Europian ka hyrë në fazën e procesit zgjedhor ku marrin pjesë aktive edhe disa nga figurat kryesore të institucioneve të BE-së. Nga nesër, në fushatë do të jetë edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, kandidate kryesore e Partisë Popullore Europiane, për të siguruar edhe një mandat pesëvjeçar në krye të ekzekutivit të BE-së.

Në fushatë janë edhe shefi i deritashëm i kabinetit, Bjoern Seriberg, si dhe disa nëpunës të Komisionit. Për të shmangur konfliktin e interesit, kanë marrë pushim pa pagesë gjatë kohës së fushatës. Edhe disa komisionerë tjerë do të jenë në fushatë zgjedhore për partitë e tyre.

Më 24 prill, Parlamenti Europian mban seancën e fundit plenare me përbërjen aktuale, ndërsa zgjedhjet do të zhvillohen nga 6 deri më 9 qershor. Fundi i punës së Parlamentit Europian, në prag të zgjedhjeve, shënon edhe nisjen e fazës së tranzicionit institucional në BE. Pas këtyre zgjedhjeve do të formohet edhe Parlamenti i ri. Më pas do të zgjidhet shefi apo shefja e Komisionit Europian, gjithashtu Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri. Po ashtu, një sërë drejtuesish të tjerë institucionalë në Union.

Diplomatët në BE, thonë se e gjithë kjo mund të ndikojë edhe në angazhimet e Unionit në Ballkanin Perëndimor.

Për kompletimin e të gjitha pozitave kyçe në institucionet e BE-së do të kalojë një periudhë jo edhe aq e shkurtër, nga pranvera e deri në fund të vitit, varësisht nga gatishmëria e vendeve anëtare për të arritur dakordësi rreth ndarjes së posteve.

Formalisht, nuk do të ketë ndonjë vakum institucional, për shkak se të gjithë komisionerët aktualë do të jenë në postet e tyre derisa të konfirmohen pasardhësit. Por, nga aspekti politik, në këtë periudhë, BE-ja përmbahet nga ndonjë vendim i rëndësishëm politik financiar apo institucional.

Sa pritet të ndikojë në angazhimet në Ballkanin Perëndimor, më së shumti kjo varet nga shpejtësia me të cilën do të emërohen dhe do të marrin funksionet e reja ata që do të caktohen. Por, disa burime diplomatike të Radios Evropa e Lirë në BE, thonë se shumica e vendimeve që kanë të bëjnë me rajonin e Ballkanit Perëndimor tashmë janë miratuar e gjërat mund të lëvizin, pavarësisht tranzicionit në BE.

Së fundi u arrit dakordësi mes Parlamentit Europian dhe Këshillit Europian për pakon financiare prej 6 miliardë eurosh për reforma e zhvillim ekonomik në Ballkanin Perëndimor. Ky pajtim u arrit nën presion kohor, pothuajse në minutën e fundit dhe mund të konfirmohet në seancën e fundit plenare më 23 e 24 prill.

Pas marrjes së vendimit, fati i këtij plani nuk do të varet më nga Parlamenti Europian, krahas rolit mbikëqyrës që do ta ketë në të ardhmen. Edhe negociatat e anëtarësimit me disa vende të rajonit, mund të përparojnë nëse në Këshill do të ketë konsenus dhe këtu nuk do të ketë nevojë për rolin e Parlamentit Europian.

Hungaria që merr kryesimin e radhës së BE-së nga 1 korriku i këtij viti, synon të hapë disa kapituj të negociatave të anëtarësimit me Serbinë, të mbyllë disa kapituj me Malin e Zi, të hapë negociata për kapitujt e parë me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut e mundësisht edhe t’i nisë negociatat e anëtarësimit me Bosnjë-Hercegovinën.

Para disa javësh, këto synime i shprehu përfaqësuesi i Qeverisë së Hungarisë në një debat në Parlamentin Europian. Hungaria beson edhe se për disa vende të rajonit, pagesat e para nga fondi i rritjes i Ballkanit Perëndimor do të mund të bëhen në pjesën e dytë të vitit. Këto veprime do të varen plotësisht nga vullneti i shteteve anëtare të BE-së.

Një proces që mund të ndikohet nga tranzicioni institucional në BE mund të jetë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë e që sipas disa diplomatëve të BE-së, nuk ka shkuar si duhet. Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Mirosllav Lajçak tashmë është përzgjedhur të jetë ambasador i BE-së në Zvicër nga 1 shtatori i këtij viti.

Pasardhësi i tij në rolin e lehtësuesit të dialogut nuk është caktuar. Para se të caktohet se kush do ta ketë rolin, BE-ja duhet të vendosë si e sheh procesin dhe rolin e saj në të. Kjo do të varet edhe se nga kush do të jetë në krye të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), që është Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri. Në rastin ideal, emri i pasardhësit të Josep Borrellit mund të mësohet në verë.

Kjo me kushtin që në qershor, vendet anëtare të bien dakord se kush do të jetë president i ardhshëm i Komisionit Europian. Më pas, ai person të marrë mbështetjen e shumicës në Parlamentin Europian në seancat e para në korrik. Në atë rast, me propozim të Këshillit Europian e me dakordësi të presidentit të Komisionit, mund të caktohet edhe Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë.

Ai person ka rol të dyfishtë sepse në njërën anë është shef i diplomacisë së përbashkët të BE-së ku përfaqëson vendet anëtare e në anën tjetër, me automatizëm edhe anëtar i kolegjit të komisionerëve europianë si zëvendëspresident i Komisionit.

Prej kohës kur ka hyrë në fuqi, Traktati i Lisbonës, tre persona kanë qenë në këtë pozitë dhe që të tre kanë luajtur edhe rolin kryesor politik në emër të BE-së në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Dialogu nisi në mandatin e Catherine Ashton-it, vazhdoi me Federica Mogherinin dhe tani po zhvillohet nën përkujdesjen e Josep Borrellit.

Ndonëse disa vende të BE-së do të donin që para fundit të gushtit të dihet pasardhësi i Lajçakut, që të sigurohet një vazhdimësi, pa ndonjë vakum në atë pozitë, ka edhe që mendojnë se ai person nuk duhet të emërohet nga Borrelli, por të pritet pasardhësi i tij në postin e Përfaqësuesit të Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë.

Por, shumica pajtohen se dialogu mes Kosovës e Serbisë dhe angazhimi në Bosnjë-Hercegovinë, si dy sfidat më të mëdha për BE-në në rajon në aspektin e sigurisë kanë nevojë për një kujdes të vazhdueshëm edhe në kohën e tranzicionit në BE, për shkak të zgjedhjeve europiane./Evropa e Lirë