Bota

Procesi zgjedhor në BE, figurat kryesore të Bllokut në fushatë aktive!

Procesi zgjedhor në BE, nga sot në fushatë do të jetë edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, kandidate kryesore e Partisë Popullore Europiane, për të siguruar edhe një mandat pesëvjeçar në krye të ekzekutivit të Bllokut.

Në fushatë janë edhe shefi i deritashëm i kabinetit, Bjoern Seriberg, si dhe disa nëpunës të Komisionit. Për të shmangur konfliktin e interesit, kanë marrë pushim pa pagesë gjatë kohës së fushatës. Edhe disa komisionerë tjerë do të jenë në fushatë zgjedhore për partitë e tyre.

Më 24 prill, Parlamenti Europian mban seancën e fundit plenare me përbërjen aktuale, ndërsa zgjedhjet do të zhvillohen nga 6 deri më 9 qershor. Fundi i punës së Parlamentit Europian, në prag të zgjedhjeve, shënon edhe nisjen e fazës së tranzicionit institucional në BE. Pas këtyre zgjedhjeve do të formohet edhe Parlamenti i ri. Më pas do të zgjidhet shefi apo shefja e Komisionit Europian, gjithashtu Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri. Po ashtu, një sërë drejtuesish të tjerë institucionalë në Union.

Diplomatët në BE, thonë se e gjithë kjo mund të ndikojë edhe në angazhimet e Unionit në Ballkanin Perëndimor.

Për kompletimin e të gjitha pozitave kyçe në institucionet e BE-së do të kalojë një periudhë jo edhe aq e shkurtër, nga pranvera e deri në fund të vitit, varësisht nga gatishmëria e vendeve anëtare për të arritur dakordësi rreth ndarjes së posteve.

Formalisht, nuk do të ketë ndonjë vakum institucional, për shkak se të gjithë komisionerët aktualë do të jenë në postet e tyre derisa të konfirmohen pasardhësit. Por, nga aspekti politik, në këtë periudhë, BE-ja përmbahet nga ndonjë vendim i rëndësishëm politik financiar apo institucional.

Sa pritet të ndikojë në angazhimet në Ballkanin Perëndimor, më së shumti kjo varet nga shpejtësia me të cilën do të emërohen dhe do të marrin funksionet e reja ata që do të caktohen. Por, disa burime diplomatike të Radios Evropa e Lirë në BE, thonë se shumica e vendimeve që kanë të bëjnë me rajonin e Ballkanit Perëndimor tashmë janë miratuar e gjërat mund të lëvizin, pavarësisht tranzicionit në BE.

Së fundi u arrit dakordësi mes Parlamentit Europian dhe Këshillit Europian për pakon financiare prej 6 miliardë eurosh për reforma e zhvillim ekonomik në Ballkanin Perëndimor. Ky pajtim u arrit nën presion kohor, pothuajse në minutën e fundit dhe mund të konfirmohet në seancën e fundit plenare më 23 e 24 prill.

Pas marrjes së vendimit, fati i këtij plani nuk do të varet më nga Parlamenti Europian, krahas rolit mbikëqyrës që do ta ketë në të ardhmen. Edhe negociatat e anëtarësimit me disa vende të rajonit, mund të përparojnë nëse në Këshill do të ketë konsenus dhe këtu nuk do të ketë nevojë për rolin e Parlamentit Europian.

Hungaria që merr kryesimin e radhës së BE-së nga 1 korriku i këtij viti, synon të hapë disa kapituj të negociatave të anëtarësimit me Serbinë, të mbyllë disa kapituj me Malin e Zi, të hapë negociata për kapitujt e parë me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut e mundësisht edhe t’i nisë negociatat e anëtarësimit me Bosnjë-Hercegovinën.

Një proces që mund të ndikohet nga tranzicioni institucional në BE mund të jetë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë e që sipas disa diplomatëve të BE-së, nuk ka shkuar si duhet. Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Mirosllav Lajçak tashmë është përzgjedhur të jetë ambasador i BE-së në Zvicër nga 1 shtatori i këtij viti.

Dialogu nisi në mandatin e Catherine Ashton-it, vazhdoi me Federica Mogherinin dhe tani po zhvillohet nën përkujdesjen e Josep Borrellit.

Ndonëse disa vende të BE-së do të donin që para fundit të gushtit të dihet pasardhësi i Lajçakut, që të sigurohet një vazhdimësi, pa ndonjë vakum në atë pozitë, ka edhe që mendojnë se ai person nuk duhet të emërohet nga Borrelli, por të pritet pasardhësi i tij në postin e Përfaqësuesit të Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë.

Por, shumica pajtohen se dialogu mes Kosovës e Serbisë dhe angazhimi në Bosnjë-Hercegovinë, si dy sfidat më të mëdha për BE-në në rajon në aspektin e sigurisë kanë nevojë për një kujdes të vazhdueshëm edhe në kohën e tranzicionit në BE, për shkak të zgjedhjeve europiane.