Aktualitet

Projektbuxheti 2024/ Në prill rritje e fortë e pagave, borxhi publik kërkohet të ulet nën 60%

Pas miratimit në qeveri, projektbuxheti i vitit të ardhshëm ka filluar diskutimin në parlament.

Në prezantimin e tij përpara Konferencës së Kryetarëve, ministri i Financave tregoi kategoritë e punonjësve që përfitojnë rritje pagash duke filluar nga prilli.

Projektbuxheti parashikon rritjen e mëtejshme të pagave të mjekëve të përgjithshëm, infermierëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë, mësuesve në arsimin parauniversitar, forcave të rendit, të mbrojtjes dhe niveleve zbatuese të administratës qendrore dhe vendore, tha Ervin Mete, ministër i Financave dhe Ekonomisë.

Fokus të shtuar te investimet publike vitin e ardhshëm do të kenë projektet që mbështesin rritjen e ndjeshme të turizmit.

Paketa e investimeve mbështet infrastrukturën kombëtare dhe vendore, për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesës në rritje të turizmit. Gjithashtu, turizmi është një sektor që mbështetet nga projektbuxheti, me synimin që Shqipëria të kthehet në një nga destinacionet kryesore të turizmit në rajon, tha Mete.

Gjithashtu, qeveria synon të ulë në nivele rekord borxhin publik, ndërsa thekson se për këtë politikë nuk do të rriten ndjeshëm taksat.

 Sa më sipër, synojmë konsolidim fiskal, me një borxh publik që pritet të zbresë vitin e ardhshëm, nën nivelin 60%, për herë të parë që prej vitit 2011, çka na pozicion në grupin e vendeve me financa publike më të forta, theksoi Mete.

Projektbuxheti vendos arsimin, shëndetësinë dhe mbrojtjen si sektorë prioritarë vitin e ardhshëm, ndërsa për herë të parë Shqipëria do të plotësojë detyrimin për shpenzimet ushtarake në nivelin 2% sa kërkon edhe NATO nga vendet anëtare.

Top Channel